Pezullohet nga puna Nagip Krasniqi, KEK emëron ushtrues detyre Përparim Kabashin - NACIONALE

Pezullohet nga puna Nagip Krasniqi, KEK emëron ushtrues detyre Përparim Kabashin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës e ka pezulluar nga puna Nagip Krasniqin, ndërkaq e ka emëruar si ushtrues detyre Përparim Kabashin. Ky i fundit, bëhet e ditur se është drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.

KEK përmes një komunikate për media ka konfirmuar se është pezulluar nga puna Nagip Krasniqi, vendim ky me efekt të menjëhershëm.

“Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. Kryeshefit Ekzekutiv, BD ka emëruar z. Perparim Kabashi, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.” – është bërë e ditur në komunikatë.

30 ditë paraburgim për kryeshefin e arrestuar

Krasniqi u arrestua gjatë javës që lamë pas, ndërkohë Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim.

Në njoftimin e Gjykatës, u bë e ditur se vendimi është marrë për shkak ktë “rrezikut të ndikimit në dëshmitarë e prova”.

Kryeshefi i arrestuar i KEK-ut, njëherit anëtar i Lëvizjes Vetëevendosje, dyshohet për tri vepra penale: “keqpërdorim i pozitës, konflikt i interesit dhe ushtrim i ndikimit”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurin N.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Konflikti i interesit nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – është bërë e ditur.

Si e mbrojti kryeministri?

Në adresimin e tij para Kuvendit të Kosovës javën e kaluar, kryeministri ka mbrojtur drejtorin e KEK-ut i cili u arrestua.

Kurti në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka pretenduar se opozita i është gëzuar arrestimit të drejtorit të kësaj korporate.

Në anën tjetër është fakt se dje pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi. Por, ky është fakti i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë se ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, ka pasur keqpërdorim marramendës që asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi drejtësisë.” - ka thënë Kurti.

Ndërkohë, kryeministri shfyrtëzoi rastin që ta sulmojë kryeprokurorin Isufaj, duke i përmendur disa raste të hetimit.

“Unë nuk kam dyshim që në prokurorinë e shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe kjo lidhet më shumë se askë tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Një prokuror i njohur në skenën publike i cili rastin e vrasjes së Dino Hasanajt e karakterizoi në vetëvrasje.” - ka deklaruar Kurti në Kuvend.

Ai madje, pretendoi se Isufaj s’e ka fituar asnjë rast në Gjykatë.

“Asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë. Ky dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të qeverisë e presidencës. Përkundër përvojës së hidhur që ka gjithë vendi me të dëshiron të bëhet kryeprokuror. Vendi më i lakmuar në republikën tonë del të jetë pozita që bën alukimin e rasteve e ky është kryeprokurori i shtetit. Sistemi lëngon se kemi një prokuori që nganjëher s’don, nganjëherë s’din.” – tha kryeministri.

Lajme të ngjashme