61 tenderë brenda 5 muajve, detaje të reja nga dosja e tenderëve në KEK - NACIONALE

61 tenderë brenda 5 muajve, detaje të reja nga dosja e tenderëve në KEK

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, tashmë i është caktuar masa prej 30-ditësh në paraburgim pas ngritjes së aktakuzës ku ai dyshohet të jetë përfshirë në veprat penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, “ushtrim i ndikimit” dhe “konflikt i interesit”.

Korporata Energjetike e Kosovës del ka nënshkruar 60 kontrata për rreth 80 milionë euro gjatë pesë muajve me metodë të negociuar. Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka nënshkruar kontratë 3.4 milionë euro me kompaninë “Litëin SA” në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim emergjent kapital të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit "Kosova A".

Lidhur me këtë, KEK-u përmes një komunikatë për media ka thënë se nuk ka paguar asnjë cent për këtë kontratë pasi që e njëjta është anuluar. Sipas detajeve të siguruara nga Gazeta Insajderi, këto kontrata janë dhënë derisa KEK-u udhëhiqej nga Nagip Krasniqi. Kontraktori ka negociuar 60 tenderë në vlera milionëshe. Tenderi më i lartë me një burim del të jetë 55 milionë euro dhe ka të bëjë me modernizimin e turbinave B1 dhe B2.

Çka kishte ndodhur?

Prokuroria Speciale njoftoi javën e kaluar për arrestimin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin për kryerjen e veprave; “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Departamenti i Krimeve Ekonomike i Policisë së Kosovës zbarkoi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kryen bastisje.

U bë e ditur se hetimet u kryen për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të një tenderi për remontin e Bllokut A5 të Termocentralit “Kosova A”.

Edhe më parë, Nacionale kishte raportuar gjerësisht në lidhje me shtyrjen e vazhdueshme të remontit në këtë bllok, derisa ka pasur shfajësime të ndryshme edhe nga zyrtarë të pushtetit përfshirë z. Besnik Bislimi.

Gazeta kishte mësuar që humbjet nga mosfunksionalizimi i këtij blloku ishin rreth një milion euro në ditë.

Policia e Kosovës bastisi ambientet qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë, ku më pas u mësua edhe për arrestimin e drejtorit ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

Lajme të ngjashme