Petkoviq i kapet Konjufcës për Asociacionin: S’ke mandat të shkarkosh Ekipin Menaxhues, ti mezi udhëheq Kuvendin - NACIONALE

Petkoviq i kapet Konjufcës për Asociacionin: S’ke mandat të shkarkosh Ekipin Menaxhues, ti mezi udhëheq Kuvendin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Çështja e draftimit të Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, ekip ky për të cilin të gjithë flasin e askush s’e ka parë, mbetet ende e mistershme. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot tha para gazetarëve se po qe se ky ekip paraqet një draft të atillë që shkon sipas interesave të Serbisë “duhet të shkarkohet”. Pikërisht një deklarim i tillë zgjoi reagimin e të ashtuquajturit drejtor të Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviqit. Ky i fundit tha se Konjufca nuk ka mandat për të shkarkuar Ekipin serb Menaxhues dhe se Asociacioni do të bëhet në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015.

“Glauk Konjufca i cili mezi ia del të udhëheqë Kuvendin e Kosovës, nuk ka mandat për të zhbërë përbërjen e Ekipit Serb Menaxhues për draftimin e Statutit të Asociacionit, pra më e mirë e ka të vazhdojë me punët e tij sepse përbërja e ekipit serb është konfirmuar nga autoritetet e tij ligjore. Për ta përsëritur, Asociacioni duhet të formohet në pajtim me katër marrëveshjet e nënshrkuara më 2013 dhe 2014, dhe për hir të rikujtimit, Marrëveshje e Parë është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës, të cilin e udhëheq Konjufca”, ka thënë Petaer Petkoviq.

Konjufca është shprehur se njëherë Serbia duhet të përmbushë obligimin e saj të ndërmarrë në Marrëveshjen e Ohrit që ëstë njohja faktike e shtetësisë së Kosovës të cilin ai e quajti “binar i parë” ndërsa vetëm mëpastaj të vazhdohet në “binarin e dytë” që është themelimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. Por, edhe këtë të fundit, ai tha se ekipi menaxhues që do ta draftojë përbëhet.

“Si është e rregulluar kjo punë nga e kaluara është se ekziston një Ekip i Menaxhimit, i cili ka pasë obligim për të ofruar një version të Asociacionit. Një tashmë e ka ofruar dhe ai nuk ka funksionuar dhe nuk është pranuar, tash do ta ofrojë tjetrin. Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionojë, duke e parë përbërjen e këtij menaxhmenti, i cili përbëhet edhe nga deputetë të Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën. Unë mendoj nëse ky menaxhmet ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, unë mendoj që me e udhës për Kosovë është që të shkarkohet ky menaxhment”, ka thënë Konjufca sot.

“Binari i parë është njohja de facto nga ana e Serbisë, ndërsa binari i dytë është Asociacioni, të cilin Kosova – qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme – në vitin 2013 e ka pranuar. Kosova duhet të tregojë që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet me bë asnjë pa u realizuar binari i parë, që është njoha de facto”.

Në ndërkohë, pritet që në takimi ne ardhshëm të Nivelit të Lartë më 2 maj ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të paraqitet një shëmbëlltyrë fillestare e asaj se si do të duket ky Asociacion. Kështu të paktën është shprehur zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, në pritshmëritë e tij për këtë takim./Nacionale/

Lajme të ngjashme