Përvjetori i Aushvicit shënohet pa Rusinë, Polonia akuzohet se do të “rishkruajë historinë” - NACIONALE

Përvjetori i Aushvicit shënohet pa Rusinë, Polonia akuzohet se do të “rishkruajë historinë”

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndërsa sot është mbajtur ceremonia që shënon çlirimin e ish-kampit nazist Auschwitz-Birkenau në Poloninsë e sotme, për herë të parë nuk ka qenë i ftuar një delegacion rus.

Duke qenë se ky kamp është çliruar nga ushtria sovjetike, Rusia zakonisht përfaqësohej në këtë ngjarje. Megjithatë, këtë vit pas pushtimit të Ukrainës, muzeu Aushvic-Birkenau ka refuzuar të ftojë zyrtarët rusë, me drejtorin e muzeut që e ka krahasuar luftën në Ukrainë me krimet e tmerrshme të Holokaustit.

Si përgjigje ndaj mos-ftesës, Rusia ka reaguar duke akuzuar muzeun se po përpiqet të “rishkruajë historinë”.

Në ngjarjen e së premtes, drejtori i muzeut Piotr Cywinski është shprehur se Aushvici është krijuar nga "megalomania" naziste, duke shtuar se “një megalomani e ngjashme e sëmurë dhe epshi i ngjashëm për pushtet" kishin nxitur shkatërrimin e Mariupolit dhe Donetskut nga Rusia.

Në anën tjetër, duke reaguar ndaj vendimit, Rusia tha se ushtarët sovjetikë që çliruan Aushvicin nuk do të harroheshin.

"Pavarësisht sesi 'jo-partnerët' tanë evropianë u munduan në përpjekjet e tyre për të rishkruar historinë në një mënyrë të re, kujtimi i heronjve sovjetikë-çlirimtarë dhe tmerret e nazizmit nuk mund të fshihen," - ka shkruar zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Kujtojmë se, kombi polak ka qëndruar i palëkundur në mbështetjen e tij për Ukrainën gjatë konfliktit, me polakët që janë duke strehuar qindra mijëra refugjatë në shtëpitë e tyre dhe kanë ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën.

Ndërkohë, zyrtarët rusë kanë marrë pjesë në ngjarjen e tyre përkujtimore, ku Vladimir Putin është takuar me rabinët kryesorë të Rusisë në prag të ditës së përkujtimit të enjten.

Udhëheqësi rus ka thënë se ai "po ndiqte një politikë që do të thotë se asgjë e tillë në historinë e njerëzimit nuk do të ndodhë më". Ndërsa, kryerabini rus Berel Lazar ka folur për keqardhjen e tij që Rusia është përjashtuar nga përkujtimi, duke paralajmëruar se "këto lojëra politike nuk kanë vend në ditën e Holokaustit".

Lajme të ngjashme