Rusia e quan dhurimin e tankeve përfshirje të drejtpërdrejtë të Perëndimit në konflikt
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të enjten se Rusia e sheh furnizimin e Ukrainës me armë nga vendet evropiane e të NATO-s si përfshirje të drejtpërdrejtë të tyre në konflikt.
“Vazhdimisht po bëhen deklarata nga kryeqytetet evropiane e Uashingtoni se dërgimi i sistemeve të ndryshme të armëve, përfshirë tanket, në Ukrainë në asnjë rast nuk nënkupton që këto shtete ose aleanca janë të përfshira në luftimet që po zhvillohen në Ukrainë. Ne kategorikisht nuk pajtohemi me këtë”- tha zëdhënësi rus në një konferencë për gazetarë në Moskë.
“Në Moskë, gjithçka që aleanca dhe kryeqytetet që i përmendja janë duke bërë, shihet si përfshirje e drejtpërdrejtë në konflikt”- shtoi ai, duke thënë se Moska ka vërejtur se kjo përfshirje është duke u rritur.
Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se do të dërgojnë tanke “Abrams” në Ukrainë, ndërsa Gjermania, Spanja dhe Norvegjia thanë se do ta furnizojnë këtë shtet me tanke “Leopard 2”.
Ukraina për një kohë të gjatë ka kërkuar tanke nga aleatët perëndimorë, duke argumentuar se i nevojiten ato për të zmbrapsur një ofensivë të pritshme ruse në pranverë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e mbrëmjes të enjten kërkoi që vendi i tij të furnizohet edhe me raketa me rreze të gjatë veprimi e me aeroplanë luftarakë.

