Një i vrarë në Kiev e dëme në infrastrukturën energjetike nga sulmet ruse me raketa
Rusia e sulmoi Ukrainën me raketa gjatë kohës së ngarkuar me qarkullim të njerëzve të enjten në mëngjes, duke vrarë të paktën një person në Kiev dhe duke dëmtuar infrastrukturë kritike në rajonin e Detit të Zi, Odesa, thanë zyrtarët ukrainas.
Turma të njerëzve u strehuan në stacionet e metros në kryeqytet gjatë aktivizimit të sirenave të alarmit për sulme ajrore para se Rusia ta fillonte valën më të re të sulmeve ajrore ndaj rrjetit të energjisë, objektiv që e ka nisur nga tetori e që ka shkaktuar ndërprerje të gjerë të energjisë në dimër.
Sulmet me raketa erdhën pas sulmit me dronë gjatë natës, një ditë pasi ukrainas siguroi premtime për furnizim me tanke nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, veprim që i ka zemëruar zyrtarët rusë.
Zëdhënësi i forcave ajrore të Ukrainës, Yuriy Ihnat, tha se gjashtë aeroplanë luftarakë të tipit Tu-95 janë nisur nga rajoni veriperëndimor rus, Murmansk, dhe kanë hedhur raketa me rreze të gjatë. Ai shtoi se pret një grumbull prej më shumë se 30 raketave dhe se forcat e mbrojtjes ajrore po mundohen që t’i rrëzojnë ato.
Autoritetet në Kiev thanë se mbrojtja ajrore ka rrëzuar më shumë se 15 raketa ruse në kryeqytet, por se rreziku mbetet dhe se banorët nuk duhet të largohen nga strehimoret.
Disa minuta më vonë, shpërthime të fuqishme goditën dy distrikte në Kiev. Zyrtarët lokalë thanë se një burrë 55-vjeçar është vrarë dhe dy të tjerë janë lënduar, kur disa ndërtesa në jug të qytetit u goditën.
“Tashmë ka infromata për dëmin në dy objekte të infrastrukturës kritike të energjisë në rajonin Odesa”, njoftoi Administrata Rajonale Ushtarake, duke shtuar se nuk ka pasur pasoja në njerëz nga këto sulme.

