Sirena alarmi në mbarë Ukrainën, raportohet për sulme të reja
Zyrtarët ukrainas, mediet lokale dhe gazetarët e huaj kanë raportuar se në pjesë të ndryshme të Ukrainës janë aktivizuar sirenat e alarmit për sulme ajrore, janë dëgjuar shpërthime dhe priten sulme me raketa.
Televizioni shtetëror ukrainas, Suspilne, citoi një zëdhënës të forcave ajrore të ketë thënë: “Gjithsej, më shumë se 30 raketa priten, të cilat tashmë janë duke u hedhur në disa zona. Ai shtoi se në mëngjes, rreth gjashtë aeroplanë Tu-95 u ngritën në qiell dhe hodhën raketa.”
Agjencia “Reuters” ka raportuar se njëri nga gazetarët e saj e ka dëgjuar zhurmën e një rakete duke fluturuar në lartësi të ulët, rreth 30 kilometra nga kryeqyteti Kiev.
Raportohet se dy raketa janë parë mbi territorin e rajonit Mykolaiv, sipas guvernatorit Vitaly Kim. “Raketat po fluturojnë brenda territorit të Ukrainës. Të paktën dy në veriperëndim nëpër rajonin e Mykolaivit”- tha ai.
Sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në mbarë vendin, kur njerëzit po shkonin në punë. Në Kiev, njerëzit u strehuan në një stacion të metros. Disa njerëz u panë të ulur mbi batanije e në karrige të vogla plastike.
Guvernatori i rajonit Lviv, Maksym Kozytskyi, u ka bërë thirrje banorëve që të strehohen dhe ua tërhoqi vërejtjen për publikimin e të dhënave për sirenat e alarmit në internt. “Raketa në rajonin fqinj. Ato po lëvizin në drejtimin tonë. Qëndroni në strehimore. Mos incizoni as mos publikoni asgjë në internet”- shkroi ai në rrjete sociale.
Faqja ukrainase e lajmeve, “Kyiv Independent”, shkroi: “Të paktën gjashtë shpërthime u dëgjuan në qytetin qendror, Vinnytsia, sipas gazetarit tonë në terren.”
Këshilltari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Anton Gerashchenko, ka thënë se sirenat e alarmit për sulme janë aktivizuar në mbarë Ukrainën. “Njerëzit këshillohen që të qëndrojnë në strehimore. Kërcënim për sulme me raketa”- shkroi ai në internet.
Ndërkohë Administrata Ushtarake në Kiev ka thënë se rreth 15 mjete fluturuese pa pilotë janë rrëzuar në hapësirën ajrore mbi Kiev gjatë natës së kaluar.
Ushtria ukrainase ka thënë se forcat ruse nisën një sulm të pasuksesshëm me dronë gjatë natës në orët e para të së enjtes, duke i pasur në shënjestër kryesisht rajonet qendrore dhe kryeqytetin Kiev.

