Përvetësim meritash dhe trillim arritjesh – videomonologu i VV-së mes paralajmërimeve për shtrenjtimin e rrymës - NACIONALE

Përvetësim meritash dhe trillim arritjesh – videomonologu i VV-së mes paralajmërimeve për shtrenjtimin e rrymës

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Në një tjetër spektakël prentedime suksesesh, qeveria e Lëvizjs Vetëvendosje u vetëportretizua si arkitekte e një epoke të artë për Kosovën në katër vitet e fundit. Kriza ekonomike u konvertua në një sagë të paprecedentë suksesi, ndërkohë që realiteti i përditshëm i qytetarëve rrezikohet nga një tjetër goditje financiare – rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë elektrike me 15 për qind.

Kur Vetëvendosje mori frerët e ekzekutivit, Kosova po përjetonte një rritje rekord të Bruto Produktit Vendor prej 16 për qind. Katër vite më vonë, vrulli u zbeh në një mesatare modeste katërvjeçare prej 4 për qind – një ritëm që e lë pas performancën e tetë nga njëmbëdhjetë vitet paraprake.

T’i marrim me radhë

Në një videomonolog të së martës, partia në pushtet na shpalosi një panoramë të sukseseve. Mes tyre, spikasnin “skemat sociale”, megjithëse vetë Banka Botërore, në një vlerësim të vitit 2022, i kishte cilësuar ato si “jofleksibile” dhe me “mbrojtje të kufizuar”.

Megjithatë, ndoshta pjesa më e vështirë për t’u kapërdirë është përfshirja e liberalizimit të vizave. Një proces që Vetëvendosje e dha si triumf të tyre, pavarësisht se Komisioni Evropian kishte konfirmuar përmbushjen e kritereve qysh në vitin 2018.

“Fituam liberalizimin e vizave. Spanja dhe Armenia na njohën pasaportën dhe shtuam miqësi të jashtme me shtete.”

Po aq optimist ishte edhe pohimi se qeveria kishte sjellë një bum të paprecedentë ekonomik, duke trumbetuar “rritje të të hyrave tatimore, eksportesh dhe investimesh të huaja.”

“Shtuam të hyrat tatimore, ngritëm eksportet, investimet e jashtme si asnjëherë më parë. Formalizuam tregun e punës dhe ngritëm incentiva për zhvillimin e ekonomisë. Zhvillimin ekonomik e aplikuam në programe të gjera sociale, duke krijuar vende pune.”

Por një vështrim realist mbi këto pohime na sjell përpara një tablo shumë më të zymtë – rritja e buxhetit ishte kryesisht një iluzion i prodhuar nga inflacioni i lartë gjatë viteve 2021-2023, i cili e fryu vlerën nominale të buxhetit, ndërkohë që fuqia blerëse e qytetarëve u gërrye me ritme alarmante, sipas vlerësimeve të ekspertëve të ekonomisë.

Nëse ka një shifër që rrëzon mitin e suksesit ekonomik të VV-së, është bilanci tregtar: një deficit kumulativ prej 19 miliardë eurosh në katër vjet. Përtej retorikës qeveritare, ekonomia e Kosovës mbetet thellësisht e varur nga importet, ndërsa eksportet e saj, megjithëse me një rritje të ndjeshme në 2022 falë bumit post-pandemik, nuk arritën të mbajnë ritmin.

Jo më pak absurd ishte krahasimi i investimeve në mbrojtje me qeveritë e kaluara.“Investuam në Forcat e Sigurisë si asnjëherë më parë, duke trefishuar buxhetin, katërfishuar trajnimet, duke blerë sisteme moderne të armatimit si dronët Bayraktar, sistemin antitank Javelin, helikopterët Black Hawk dhe tani po ndërtojmë fabrikën e municionit.”

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri kishte nisur qysh në dhjetor të vitit 2018. Këtë Vetëvendosje e përdori në vahzdimësi si mundësi për të dezinformuar duke u mburrur me investime të larta në krahasim me qeveritë e kaluara.

Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht po vazhdon planin e tranformimit dhe tani është në fazën e tretë – e cila veç tjerash nënkupton edhe ndërtimin e kapaciteteve ajrore për FSK-në.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, sot njoftoi rreth nismës për lidhjen e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – sipas planit për transformimin e FSK-së të vitit 2018 – dhe për këtë marrëveshje, ai dha detaje në një konferencë për media rreth një javë më parë.

Lajme të ngjashme