Përveç katër viktimave, edhe dy të lënduar rëndë nga aksidenti në Ferizaj
Përveç katër viktimave nga aksidenti i rëndë që ndodhi në orët e vona në Koshare të Ferizajt, të lënduar rëndë kanë mbetur edhe dy të tjerë.
Prokurori i rastit, Besnik Nuredini ka shtuar se të katër viktimat kanë qenë në një veturë, kurse nga vetura tjetër dy të lënduar rëndë, që tashmë janë transportuar në QKUK.
Veç kësaj, një tjetër veturë pësoi dëme materiale, pasi kishte rënë në hendek, përderisa evitoi përplasjen.
“Në një automjet dyshohet se kanë qenë katër viktimat, në automjetin tjetër të aksidentuar janë dy të plagosurit që janë në gjendje të rëndë, derisa vetura e tretë duke tentuar të shmangur përplasjen ka lëshuar rrugën dhe ka rënë në hendek”, tha Nuredini për Dukagjinin.
Lajmin për vdekjen e katër viktimave e kishte konfirmuar për Nacionalen edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Rreth orës 19:15 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në aksin rrugor Ferizaj -Shtime, në dalje të fshatit Koshare të Ferizajt, ka ndodhur një aksident komunikacioni ku janë përfshirë tri automjete të udhëtarëve, vetura me targa vendore. Si pasojë e këtij aksidenti, katër persona kanë humbur jetën, vdekja e të cilëve është konfirmuar nga mjekët në vendin e ngjarjes.” – tha ai.
