Përparon Shtimja: Kryetari i bën me GPS veturat e komunës - NACIONALE

Përparon Shtimja: Kryetari i bën me GPS veturat e komunës

4 vjet më parë

nga Trina Zuka

Lokacionin e veturave zyrtare të komunës së Shtimes, do ta dijë gjatë tërë kohës komuna.

Kjo pasi që Shtimja, në krye me Qemajl Aliun nga Vetëvendosje, ka nënshkruar kontratë për vendosjen e GPS-ave për të gjitha veturat, që i posedon komuna e Shtimes.

Sipas zyrës për Marrëdhënie me Publikun të kësaj komune, thuhet se kjo gjë nuk është vendosur si shkak i ndonjë keqpërdorimi, por për transparencë dhe llogaridhënie.

Andaj në bazë të kësaj, komuna do ta ketë më të lehtë lokalizimin e saktë gjeografik, shpejtësinë dhe gjendjen e veturave.

Prej se ka filluar punën qeverisja e re komunale, nuk ka pasur asnjë rast të keqpërdorimit të veturave zyrtare. Ky vendim është marrë për transparencë dhe llogaridhënie në shfrytëzimin e veturave, pasi ky sistem shërben për lokalizim të saktë gjeografik, shpejtësinë dhe gjendjen e veturës, monitorimin e vazhdueshëm. Gjithashtu për evitim të ndonjë keqpërdorimi të mundshëm si dhe ruajtjen e aseteve në pronësi të komunës”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka koalicion me partinë që udhëheqë me Shtimen, vendosjen e GPS-ave e cilëson pozitive.

Sipas Kadri Eminit, kjo gjë do të ndihmojë që të mos ndodhin keqpërdorime.

“Është shumë pozitive vendosja e gps-ve në veturat e administratës së komunës. Jo çështje që e monitoron një punëtor se ku po shkon, por administrata është mirë me ditë ka janë veturat, sepse ka pak vetura në komunë. Shpesh na ka ndodhë që mos me pas veturë e është dashtëmë prit. Kështu që vendosja e gps-ve është mire me ditë se cilën veturë e ke ma afër që me thirrë në raste urgjente.

Ndoshta edhe naj keqpërodrim eventual ka ndodhë të kalumen, e vendosja e ketyre gps-ve pamundëson një gjë të tillë të ndodhë prap. Por vendosja e këtyre gps-ve nuk ka ndodhur për këtë arsye”, thotë Kadri Emini nga LDK.

Por partia opozitare komunale PDK, thotë se vendosja e këtyre paisjeve ka rënduar besueshmërinë e qeverisjes në raport me zyrtarët komunalë.

Sipas asambleistit Rrahman Jakupi, nuk iu është vendosur të gjitha veturave GPS.

“Nga burime përbrenda vet administratës, ekzekutivit, vendosja e këtyre paisjeve ka renduar besueshmërinëe qeverisjes aktuale në raport me zyrtarët ta pasiqë ka dhënë sinjale që nuk ju beson atyre dhe se kjo dëmton raportet kolegiale duke parcializuar vendosjen e GPS-ve në disa vetura e në disa jo dhe kjo rëndon raportet edhe më shumë duke marrë parasysh se jo të gjitha veturat kanë GPS e që mund të përdoren nga kryetari dhe vartēsit e tij (vetura Renault të cilen e vozit kryetari Komunes, Qendra Rezidenciale, Qendra për Punë Sociale, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, vetura e Njësitit të Zjarrëfikësve si dhe vetura tjera)”, thotë Rrahman Jakupi nga PDK.

Kjo kontratë është nënshkruar në muajin maj të këtij viti, dhe ka vlerën 936 euro.

Shtimen në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar, e fitoi kryetari i tanishëm Qemajl Aliu nga Vetëvendosje, në raudin e dytë.

Lajme të ngjashme