Përfshihet Rusia: “Prishtina do ta kishte bërë Asociacionin kohë më parë po të donte Perëndimi” - NACIONALE

Përfshihet Rusia: “Prishtina do ta kishte bërë Asociacionin kohë më parë po të donte Perëndimi”

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Pas përpjekjeve të mëdha që Serbia të mos pranojë nismën franko-gjermane për normalizim të marrëdhënieve, Federata Ruse ka ndërhyrë sërish në çështjen e Dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe në çështjen e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Boçan Harçenko, duke folur për mediat serbe fajësoi sërish Perëndimin për mosthemelimin e Asociacionit. “Po të kishte bërë presion Perëndimi te Prishtina, Asociacioni do të ishte bërë kohë më parë”, ka thënë Harçenko duke folur “Tv Prva”.

Situata në terren nuk është e mirë, e madje mendoj se në njëfarë kuptimi edhe po përkeqësohet. Dhe nganjëherë këto bisedime në Bruksel dhe ndërmjetësimi i Brukselit duket sikur mbyll sytë ndaj situatës në terren”, ka propaganduar Harçenko.

Sa i përket qëndrimit të Moskës karshi çështjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai thotë se qëndrojnë të palëkundur në kërkimin e zgjidhjes në bazë “të Rezolutës 12/44” për çka tha se “zgjidhja është e mundshme vetëm në bazë të saj”.

Harçenko ka qenë tejet prezent në mediat serbe që kur ishte shfaqur në publik plan-propozimi frankogjerman për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku kishte dhënë mesazhe të shumta se ky plan nuk duhet të pranohet nga Serbia.

Plani evropian i paraqitur që nga shtatori i vitit të kaluar, me iniciativë franko-gjermane, sipas Harçenkos, ishte veçse një “rrugë e tërthorë” që Serbia ta njohë Kosovën.

Në rend të parë, thoshte ai, plani ka për synim Kosovën në OKB, si hap përfundimtar në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit.

Harçenko, u shpjegonte mediave dhe lexuesve serbe se “esenca” e këtij plani, “është njohja”.

Sepse po qe se e pranon Beogradi këtë plan, sipas rusit Harçenko, “atëherë Kosovën e konsideron si subjekt të së drejtës ndërkombëtare”, derisa shtonte se “atëherë Kosova ekziston si shtet”.

Ne nuk jemi pjesëmarrës në bisedime, dhe mund të krijojmë opinion vetëm në bazë të raportimeve të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Parlamentin e Serbisë dhe në bazë të informacioneve që ‘rrjedhin’ në media”.

“Në mendimin tim, kjo është tenativë e Perëndimit për të gjetur rrugën e tërthorë që Serbia ta njohë Kosovën dhe që ajo të futet në institucionet ndërkombëtare, në rend të parë në OKB”, pati thënë ai për “Novosti”

Pyetur se a është plani franko-gjerman “bazë e mirë” për negociata Kosovë-Serbi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, ambasadori rus ka përgjigje ruse, “jo” thotë ai.

Sepse plani drejtpërsëdrejti deklaron që Serbia nuk e parandalon hyrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ani pse Perëndimi provon ta paraqesë atë si plan për normalizimin e jo për nohje, esencialisht është njohje”.

“Nëse shteti [serb] jep pëlqimin për anëtarësimin [e Kosovës] në organizata ndërkombëtare, atëherë Kosova në këtë rast është subjekt i të drejtës ndërkombëtare, dhe si shtet anëtar të OKB-së, atëherë Kosova ekziston si shtet”, thoshte ai./Nacionale/

Lajme të ngjashme