Përçarje, zgjedhje, spastrime, idhnime: Qysh kaloi viti 2022 në Lëvizjen Vetëvendosje?
2022-shi ishte vit i zgjedhjeve në Lëvizjen Vetëvendosje. Megjithatë, zgjedhjet nuk sollën shumë risi, së paku në kreun e saj. Aty vazhdon të mbretëroj, krejt në mënyrë të palëkundur, Albin Kurti. Aq sa Kurti tashmë e ka çimentuar “sundimin cezarian” në LVV. Por partia e tij u përball me shumë përçarje në grup parlamentar e në struktura, të cilat sollën edhe idhnime e hatërmbetje personale.
Natyrisht, nuk munguan as “spastrimet” e mungesa e unitetit në disa tema, posaçërisht në lidhje me projekt-kodin civil, ishte e dukshme. Viti 2022 në LVV do të mbahet mend edhe për thyerjen e partisë më të madhe me deputetët “konservatorë”.
Zgjedhjet dhe “spastrimet”
Gjatë vitit 2022, Lëvizja Vetëvendosje organizoi zgjedhje të brendshme. Përgjatë vitit, nëpërmjet zgjedhjeve në nivel lokal e qëndror, LVV, që është partia më e madhe në pushtet, zgjodhi organet drejtuese.
Në fund të zgjedhjeve, ashtu siç pritej, kryetar i rizgjodh z. Albin Kurti, njeriu që e udhëheq LVV-në që nga themelimi, përjashtimisht 3 vite kur ishte kryetar Visar Ymeri. Kjo zgjedhje u kritikua, pasi Kurti ishte i vetmi kandidat, ndonëse aktivistët e LVV-së e patën mundësinë të abstenojnë ose madje të votojnë kundër liderit të fuqishëm.
“Rezultatet paraprake të votimit për kandidatët për nivelin e tretë janë si në vijim:
Për Kryetar të LVV, Albin Kurti:
PËR: 98.60%
KUNDËR: 0.89%
ABSTENIM: 0.51%” – thuhej në njoftimin për zgjedhjet të LVV-së.
Në këto zgjedhje, Albulena Haxhiu mori timonin e grave të LVV-së, pasi partia më e madhe në Kosovë vendosi të themelojë Organiztën e Gruas. Ndërsa Behar Jashari u votua si kryetar i Rinisë së Vetëvendosjes.
Megjithatë, jo çdo gjë shkoi mirë. Mospërkrahja e një pjesë të deputetëve me bindje konservatore të projekt-kodit civil, që parashihte bashkëjetesën e seksit të njëjtë, shkaktoi trazira edhe në kohë zgjedhjesh. Siç kishte raportuar Nacionale në vazhdimësi, seksi e kishte përçarë keq VV-në. “A jeni pro projekt-kodit civil?” – ishte pyetje që i dha fund shumë aspiratave në VV.
Shumë kandidatë u ndanë të pakënaqur, duke folur publikisht rreth “spastrimeve” në parti. Madje, disa prejt tyre e quajtën krejt këtë nismë si jodemokratike, duke e cilësuar VV-në si “organizatë islamofobe”.
Anëtari i Grupit Punues në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, Shkëlzen Bislimi, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë dhe nga kjo LVV-ja.
“Me keqardhje më duhet t’ju njoftoj se kam vendosur të jap dorëheqje të pakthyeshme nga pozita e anëtarit të Grupit Punues në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, si dhe nga të gjitha aktivitetet brenda kësaj organizate.” – kishte shkruar ai.
Pakënaqësitë e deputetëve
Haki Abazi e Fatmir Humolli, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, janë vetëm dy nga deputetët që gjatë gjithë vitit u panë të hatruar me partinë e tyre. Madje Abazi u ankua edhe publikisht kundrejt zonjës Mimoza Kusari-Lilës, shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së.
“Ky vend nuk ndryshon duke i ricikluar njerëzit e njëjtë. Nuk ndryshon me Mimoza Kusarin. Ndaç merre personale, ndaç merre çfarëdo”, theksonte z. Abazi kohë më parë.
E krejt në fund të vitit, z. Abazi gjeti kohë ta “godiste” edhe Dejona Mihalin, e cila është koordinatore e komiteteve në LVV dhe një njeri i fuqishëm në këtë organizatë. Madje, Abazi është njeriu i parë që ka kërkuar reformimin e Qeverisë Kurti II.
“Reformimi i qeverisë dhe reformimi i gjyqësorit është imperativ urgjent dhe prioritet…Sa bëni luftë e linçim të atyre që nuk mendojnë njejtë dhe angazhoni luftë speciale kundër atyre që nuk mendojnë sikur Mihaili do të duhej të sqaroni pse keni adaptuar metodat e njejta sikur këta që ishin në qeverisje të vendit deri para dy viteve!” – shkroi ai ditë më parë.
Ndërsa Fatmir Humolli në vazhdimësi gjatë vitit 2022 ka paralajmëruar votë pro rrëzimit të Qeverisë Kurti II, duke shtuar se janë edhe disa kolegë të tjerë të tij në VV që do të votonin njëjtë si ai.
“Le të sjellët në Kuvendin e Kosovës mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Unë do të votoj pro. Unë dhe një numër i deputetëtve të Grupit Parlamentar të VV-së do ta votonim mocionin.” – theksonte ai.
Ndërsa përplasja më e madhe, me shumë gjasë, është ajo mes grupit konservator në VV dhe parisë së këtij subjekti politik. Shumë deputetë të LVV-së, në një formë të organizuar, votuan kundër projekt-kodit civil, duke e kundërshtuar edhe Kurtin, i cili u kërkoi votën pro kësaj nisme ligjore që legalizon bashkëjetesat e seksit të njëjtë. Pas gjithë kësaj përplasje, z. Visar Korenica, deputet konservator i LVV-së, nuk u lejua të kandidonte në zgjedhjet për degën e VV-së në Rahovec, duke u eleminuar nga gara.
Ndërsa jashtë Kryesisë së LVV-së mbeti edhe Liburn Aliu, ndërsa nënkryetar i partisë për herë të parë u zgjodh Glauk Konjufca. E të njëjtat pozicione i ruajti “Grupi i Tiranës” në krye me Milahin, e cila u rizgjodh përsëri koordinatore e Komiteteve, ndërsa Elvis Hoxha, Arbër Zaimi e Boiken Abazi hynë në Kryesinë e zgjedhur pak muaj më parë.

