13 kandidatë në garë për dy pozita në Kushtetuese
Sot Kuvendi i Kosovës ka bërë publike listën e emrave të kandidatëve që kanë aplikuar në thirrjen publike për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pas shqyrtimit të nominimeve, janë gjithsej 13 kandidatë të cilët pritet t’i nënshtrohen provimit me gojë e me shkrim.
Në njoftimin e Komisioni të posaçëm të Kuvendit thuhet së të gjitha nominimet, pas shqyrtimit, është konfirmuar se plotësojnë kushtet e parapara me ligj.
“Komisioni vendosi që pas shqyrtimit të aplikacioneve, të fillohet me fazën e parë të intervistimit. Intervista me shkrim u caktua të mbahet më 29 mars 2022 në orën 10:30”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Nacionale.
Emrat që kandiduan për gjyqtar
Në thirrjen e fundit, kanë aplikuar gjithsej 13 kandidatë dhe që të gjithë kanë plotësuar kushtet e parapara për të vazhduar tutje me procedurat e përzgjedhjes së dy gjyqtarëve të Kushtetueses.
Në listën e publikuar bëjnë pjesë: Flamur Hyseni, Safet Berisha, Bardh Bokshi, Emrush Kastrati, Selman Ymeri, Rexhep Gashi, Blerim Burjani, Etrur Maloku, Flutura Hoxha, Dukagjin Abdyli, Albert Avdiu, Rafet Haxhaj dhe Valon Hasani.
Për disa prej kandidatëve nuk është hera e parë që i janë futur një rruge të tillë.
Etrur Maloku e Bardh Bokshi ishin kandidatë edhe herën e kaluar në procesin që dështoi.
Ajo që bie në sy është mungesa e Vigan Qorrollit, i cili ka tentuar në disa raste të bëhet gjyqtar.
Procedura që ndiqet
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga Presidenti, me propozim të Kuvendit.
Aktualisht procesi është ende në faze të hershme.
Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, pas intervistimit, Komisioni e përgatit një listë të ngushtë të kandidatëve të kualifikuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Kjo listë e ngushtë përmban më shumë kandidatë se numri i gjyqtarëve, të cilët do të zgjedhen, por jo më tepër se pesë (5) kandidatë për një post të lirë.
Kandidatit i nevojiten votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë. Kandidatët që marrin votat e mjaftueshme, i propozohen për dekretim presidentit për gjyqtar të Kushtetueses.
Kujtojmë që dy herë më parë ka dështuar përzgjedhja e gjyqtarëve për shkak se asnjë kandidat nuk i kishte votat e mjaftueshme për t’u bërë gjyqtar.