Pekini dhe pjesa veriore e Kinës përfshihen nga stuhia e rërës, ajri ndotet rëndë
Një stuhi e ashpër e rërës i ka përfshirë Pekinin dhe disa provinca veriore kineze, duke sjellë re të dendura me pluhur të portokalltë e duke shkaktuar ndotje të rrezikshme të ajrit, thanë të mërkurën autoritetet shtetërore të motit.
Kryeqyteti kinez u mbulua nga reja e dendur e pluhurit dhe indeksi i cilësisë së ajrit ka treguar për ndotje shumë të madhe.
Autoritetet e motit në Pekin i paralajmëruan njerëzit që të mos dalin jashtë për të bërë ushtrime ose për aktivitete të tjera dhe nga drejtuesit e automjeteve kanë kërkuar që të qëndrojnë vigjilentë dhe ta ulin shpejtësinë për shkak të dukshmërisë së ulët, raporton televizioni CNN.
Sipas matjeve, ndotja e ajrit të mërkurën në mëngjes në Pekin ishte 37 fish më e lartë se mesatarja ditore e vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Pekini goditet rregullisht nga stuhitë e rërës në pranverë dhe smogu bëhet më i rëndë nga shtimi i aktiviteteve industriale dhe shpyllëzimi i shpejtë në pjesën veriore të Kinës.
Stuhia e re erdhi të martën nga Mongolia dhe gradualisht lëvizi drejt pjesëve lindore e qendrore të Kinës, sipas parashikuesve kinezë të motit.