PE-ja në raportin për Serbinë përmend votën kundër Kosovës në KiE dhe shkeljen e marrëveshjes së Ohrit - NACIONALE

PE-ja në raportin për Serbinë përmend votën kundër Kosovës në KiE dhe shkeljen e marrëveshjes së Ohrit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë i janë shtuar edhe 11 amendamnete të reja, ndër të cilat përmendet edhe marrëveshja me Kosovën dhe shkelja e saj me votimin e Serbisë kundër pranimit të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Media serbe N1 raporton që eurodeputetët nga partia e Gjelbërt, kanë përmendur shkeljen e marrëveshjes së Ohrit dhe votimin kundër të Serbisë në Këshillin e Evropës, në raportin e PE-së për Serbinë.

Në amendamentin e tyre, të Gjelbrit “shprehin keqardhjen” sepse Serbia ka shkelur marrëveshjen ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, kryesisht Marrëveshjen e Ohrit, gjatë votimit “kundër” pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gjithashtu, në raportin me 104 pika dhe me 11 amendamentet reja, janë përmendur edhe bojkotimi i zgjedhjeve në veri të vendit nga partitë serbet të cilat “u orkestruan në Beograd”.

Shkeljet e marrëveshjes

Ndërkaq, Kosova dhe Serbia, disa ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, kishin filluar me akuza ndaj njëra-tjetrës për shkelje të marrëveshjes së Ohrit.

Tash në takimin e fundit të mbajtur më 2 maj, Kurti në takim me Vuçiqin prezantoi të gjitha shkeljet e marrëveshjes së Ohrit nga Serbia.

Kurti pas takimit kishte thënë se ka dorëzuar një dokument në të cilin ishin renditur të gjitha shkeljet e marrëveshjes nga pala serbe.

Ditë më parë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu prezantoi të gjitha shkeljet e marrëveshjes së Ohrit, e të cilat Kurti i kishte thënë në takimin e 2 majit në Bruksel.

Brenda dy javëve pas dakordimit në Bruksel, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjen Bazike, preambulën e saj dhe një nen të Planit të Zbatimit. Kjo është përmbledhja, në gjuhën shqipe, e të gjitha shkeljeve të Serbisë. Shkelje këto që kryeministri Kurti i prezantoi para ndërmjetësve evropianë në takimin e 2 majit në Bruksel.” – ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian, kishte thënë se e ka parasyshë votimin kundër të Serbisë për pranimin e aplikimit të Kosovës në KiE.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kishte deklaruar se institucionet e Brukselit “e kanë marrë parasysh” dhe se “BE po mban shënim për votën kundër të Serbisë” për pranimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

BE nuk kishte thënë në mënyrë prerë se Serbia ka shkelur marrëveshjen e Ohrit.

Ndërkaq, ditë më parë, BE-ja ka deklaruar se Kosova ka shkelur marrëveshjen me shkarkimin e Ekipit Menaxhues që punoi dhe prezantoi draft-statutin e Asociacionit.

Sa i përket vendimit të raportuar të Kosovës për shpërbërjen e ekipit menaxhues, marrëveshjet e dialogut thonë qartë se ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit/Bashkësisë për Komunat me shumicë Serbe. Kjo nuk është ende çështja. Drafti i parë i statutit u prezantua nga ekipi menaxhues më 2 maj në dialogun e nivelit të lartë, i cili tashmë nis procesin e negociatave. Prandaj, vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.” – kishte deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Lajme të ngjashme