PDK mbledh kryesinë: U fol për komunikimet me partitë parlamentare, me përjashtim të VV, Guxo, Alterantiva
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur mbledhje gjatë së mërkurës, ku është diskutuar për hapat e ardhshëm pas caktimit të datës së konstitutimit të Kuvendit për 15 prill.
Në mbledhje, thuhet se kryetari Memli Krasniqi ka informuar anëtarët për komunikimet e fundit me partitë me përjashtim të VV-së, Guxo dhe Alternativës.
“Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, informoi anëtarët e Kryesisë për komunikimet e fundit me partitë parlamentare, me përjashtim të partive në pushtet (VV, Guxo dhe Alternativa). Ai theksoi se, nëse partia që ka dalë e para në zgjedhje nuk arrin ta formojë shumicën e nevojshme, PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj në formimin e Qeverisë së re, me Bedri Hamzën në krye të ekzekutivit” – thuhet në njoftimin e partisë.
"Ne kemi objektiva të qarta për zhvillimin ekonomik, rikuperimin dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë, si dhe avancimin e procesit të integrimit euroatlantik. PDK-ja ka kapacitetin dhe vizionin për ta çuar Kosovën përpara" – citohet se ka thnë Krasniqi.
Në anën tjetër, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka “ritheksuar përkushtimin për të jetësuar vizionin për një Kosovë më të zhvilluar e më të mirë”.
“Në përfundim të mbledhjes, Partia Demokratike e Kosovës shprehu qëndrimin se vendi duhet të ketë sa më parë institucionet e reja, në mënyrë që të adresohen çështjet kyçe për qytetarët dhe të ecet përpara në përmbushjen e prioriteteve shtetërore.
Para mbledhjes së Kryesisë, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot të gjithë deputetët e zgjedhur të PDK-së në një drekë pune. Gjatë takimit, ata kanë diskutuar në mënyrë të detajuar për përgatitjet dhe qëndrimet e partisë në lidhje me seancën konstituive të 15 prillit, duke u fokusuar në hapat e ardhshëm dhe prioritetet e grupit parlamentar” – thuhet në njoftim.