PDK konfirmon se s’do të mbështesë asnjë mandatar të VV-së, edhe pas takimit Krasniqi–Osmani
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar sot me Presidenten Vjosa Osmani për të diskutuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që Glauk Konjufca të mandatohet për formimin e qeverisë së re.
Pas takimit, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, konfirmoi se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar — PDK nuk do të mbështesë asnjë kandidat të propozuar nga Vetëvendosje.
“Po, sot pasdite, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten Osmani, për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.