Pasojat e mos-koordinimit: Policisë së Kosovës tani i duhet koordinim me KFOR-in për të shkuar në veri - NACIONALE

Pasojat e mos-koordinimit: Policisë së Kosovës tani i duhet koordinim me KFOR-in për të shkuar në veri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti në muajin qershor tallej me kërkesën e opozitës për koordinim më bashkësinë ndërkombëtare rreth veprimeve në veri. Gjatë një seance parlamentare, ai me ironi i pyeste liderët e opozitës nëse arrestimi i kriminelëve në veri duhet të bëhej “me koordinim a pa koordinim”. Në fakt, ky mos-koordinim duket se i ka kushtuar Kosovës.

Policisë së Kosovës për të vepruar në veri tani vërtetë i duhet koordinimi me KFOR-in.

Këtë e ka bërë të ditur dje edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negociim me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave të sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, që mund të ketë ndikim në siguri”, ka thënë Stoltember pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai ka bërë me dije se çdo zbarkim i forcave policore atje kërkon miratimin e KFOR-it.

Nuk është kriter i ri. Ky qëndrim është bazë e misionit për një kohë të gjatë. Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon miratim të KFOR-it dhe ka nevojë për konsultim të afërt mes autoriteteve të Prishtinës dhe KFOR-it për çfarëdo angazhimi që mund të ndikojë në pozitën tonë dhe sigurinë në Kosovë”, është shprehur shefi i NATO-së.

Fajësohet Qeveria

Deklarata e sekretarit të NATO-së ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Opozita ka bërë me dije se kjo është pasojë e moskoordinimit të Qeverisë me aleatët perëndimor. Sipas tyre, ky është një kthim mbrapa.

Deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se ky është nja lajm i keq për Kosovën.

Sot u pa qartë edhe një herë se me dyshen Osmani-Kurti, procesi i dialogut është zvogëluar rreth gabimeve strategjike të Kosovës dhe jo interesave të saj, kur nga selia e NATO-s u tha se Kosova tani duhet të kërkojë leje nga KFOR-i për të vendosur forcat policore në veri. Lajm i keq!”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij në “Facebook”.

Kritik është shprehur edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Ai ka thënë se kur procesin e dialogut ia beson Besnik Bislimit dhe ekipit të tij, pasojat për vendin janë të sigurta.

Ai ka shpërndarë një status të tij, ku kishte paralajmëruar se Policisë së Kosovës do ti duhej leja për të shkuar në veri.

“Kur dialogun ia beson ekipit te Besnik Bislimit, Kosova i paguan veq pasojat! Postimi i dates 11 korrik 2023”, ka shkruar Miftaraj.

Shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, është munduar ta qartëson deklaratën e sekretarit të NATO-së. Ai ka thënë se behet fjalë vetëm për koordinim.

Ata kanë qenë aktorë të drejtpërdrejtë në arritjen e asaj dakortësie nga institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa sa i përket Policisë së Kosovës, presidentja e ka diskutuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe është qartësuar kjo situatë, që, në fakt, nuk kërkohet miratim paraprak i KFOR-it ose i NATO-s për zbarkim të Policisë në veri, por se është një kërkesë e KFOR-it për koordinim në kuadër të kompetencave që ka të bëjë me reaguesit e parë, të dytë dhe të tretë që parandalojnë ndonjë eskalim të situatës në veri”, ka deklaruar Vela për RTK.

Ndërsa, analisti Nexhmedin Spahiu ka kritikuar deklaratën e shefit të NATO-së.

Ai ka bërë me dije se Kosova nuk duhet ta respektojë një gjë të tillë.

Deklarata e Stoltemberg duket më tepër si luftë nxitëse se sa ftesë për paqe. Me befasoj në fakt, sepse kërkesa për punën e policisë, por kjo është një çështje për të cilën Kosova do të duhej të lëshojë pe. Nëse Kosova lëshon pe për punën e policisë, atëherë duhet të heq dorë nga sovraniteti”, ka thënë Spahiu për RTV Dukagjini.

Në 19 prill të vitit 2013, ish-Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi ishte pajtuar me ish-sekretarin e NATO-s, Andres Fogh Rasmussen, që FSK-ja të mos dërgohet në veri pa lejen e KFOR-it. Një veprim i tillë ishte kritikua ashpër nga kryeministri aktual Albin Kurti. Madje, ky i fundit kishte paralajmëruar që këtë marrëveshje ta dërgon edhe në gjykatë.

Lajme të ngjashme