Stoltenberg ia thotë në fytyrë Osmanit: Koordinohuni me KFOR-in për aksione të FSK-së e Policisë - NACIONALE

Stoltenberg ia thotë në fytyrë Osmanit: Koordinohuni me KFOR-in për aksione të FSK-së e Policisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg aktualisht është duke mbajtur një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Para mediave, Stoltenberg ka thënë se temë kryesore e takimit ishin zhvillimet e fundit në veri, derisa përmendi edhe lëndimet e ushtarëve të KFOR-it, disa prej tyre rëndë.

“Diskutuam për tensionet në veri të Kosovës dhe vazhdimin e misionit të KFOR-it nën mandatin 1244. Trupat tanë të KFORit u sulmuan këtë vit, 93 u lënduan, disa seriozisht. Kjo është totalisht e papranueshme.

Stabiliteti në rajon dhe siguria e trupave të KFOR-it varet nga të gjitha akterët. NATO konsideron se kjo është më e rëndësishmja.” – tha ai.

Veç kësaj, ai përmendi se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të shkojë në veri pa lejen e KFOR-it. Madje, Stoltenberg e bëri të qartë se Policia e Kosovës dhe FSK-ja duhet të konsultohen me kohë me KFOR-in rreth çdo aksioni që mund të ndikojë në siguri.

“Në linjë me përkushtimin e Prishtinës nga viti 2013, vendosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri, duhet të ketë pajtimin e KFOR-it dhe presim konsultime në kohë dhe kuptimplotë për secilin aksion të FSK-së dhe Policisë që mund të ndikojnë në mjedisin e sigurisë.” u shpreh ai.

Gazetarët e kanë pyetur nëse është një “kërkesë e re” kjo për aprovimin që duhet ta marrë edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Stoltenberg ishte i qartë në përgjigjen e tij. Ai u shpreh se autoritetet e Kosovës duhet ta njoftojnë KFOR-in për secilin zbarkim edhe të FSK-së, edhe të Njësisë Speciale.

“Nuk është një kërkesë e re, është kusht që kanë qenë për një kohë të gjatë. Secili zbarkim e Njësive Speciale duhet të aprovohet nga KFOR-i dhe ka një nevojë për koordinim dhe konsultim të afërt nga autoritet në Prishtinë dhe KFOR-it për çdo zbarkim që mund të ndikojë në sigurinë në Kosovë.” – u shpreh ai.

“A po e ledhatojnë BE-ja dhe NATO Serbinë?” – kjo ishte njëra prej pyetjeve që u bë në konferencën e përbashkët për media të shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ky i pari, mohoi një gjë të tillë duke thënë se: “Çështja nuk qëndron kështu”.

Osmani ndërkohë, nuk pati ndonjë fjalë për NATO-n, por deklaroi se BE-ja po e përkrah Serbinë, derisa shtoi se “paratë e BE-së duhet të shkojnë dorë më dorë me vlerat evropiane”.

Sipas saj, aktualisht situata nuk është kështu.

“Besoj që dihet se kush janë partnerët e komuniteti euroatlantikë në rajon, por e dijmë që afrimi i Serbisë me komunitetin euroatlantik, më afër me Perëndimin është në interes të të gjithë neve. Por Serbia duhet t’i bëjë të paktën detyrat e saj të shtëpisë para se të marrë përkrahjen që po e merr nga BE-ja, sepse paraja e BE-së, duhet të shkojë dorë më dorë me vlerat evropiane, çështja nuk qëndron kështu derisa po flasim.” – ka thënë ajo.

Lajme të ngjashme