Pasi ambasadori tha se Kurti ishte koordinuar me Amerikën, Opozita tash thotë se “s’ishte koordinuar mjaftueshëm” - NACIONALE

Pasi ambasadori tha se Kurti ishte koordinuar me Amerikën, Opozita tash thotë se “s’ishte koordinuar mjaftueshëm”

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Opozita e vendit kishte vlerësuar se vendimet e Qeverisë për reciprocitetin në targa dhe letërnjoftime ishin të pakoordinuara me ndërkombëtarët, por këto vlerësime u përgënjeshtruan nga hiç më pak se ambasadori amerikan. Nacionalja kontaktoi disa prej opozitarëve, për ta parë se çka mendonin tash.

Dy ditë pas tensioneve në veri të vendit, ku sipas informacioneve zyrtare u lënduan 6 ose 11 qytetarë, situata është më e qetë, derisa janë hapur edhe pikat kufitare që ishin mbyllur, në Jarinje dhe Bërnjak.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili i bëri kërkesën Qeverisë së Kosovës që ta pezullojnë vendimin për reciprocitet të pjesshëm përkohësisht, theksoi qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ishin kundër një vendimi të tillë.

Ndërkaq, nga Bashkimi Evropian, konfirmuan se u kanë dërguar ftesa krerëve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar rreth kësaj çështjeje në Bruksel.

Çfarë thotë opozita, a pati koordinim të Kurtit me ndërkombëtarët?

Zyrtarë të partive opozitare, për gazetën Nacionale kanë treguar se si e shohin tani situatën, pasi dy ditë më parë, deklaruan se veprimet e Qeverisë nuk ishin të koordinuara me ndërkombëtarët.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, për gazetën Nacionale vlerësoi se nuk ka pasur koordinim mjaftueshëm për këtë vendim.

“Është e drejtë kushtetuese, ligjore, legjitime e Qeverisë që të zbatojë reciprocitetin me Serbinë, dhe atë jo vetëm për targa e dokumente, por ka të drejtë që edhe në aspektin tregtar, ekonomik. PDK çdo herë e përkrah Qeverinë kur ka të bëjë me integritet dhe sovranitet të vendit, jo vetëm PDK, i kemi dëgju edhe partitë tjera opozitare që kanë qenë në favor. Ne kemi hezituar, sepse une personalisht mendoj që nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm, në momentin kur është marrë vendimi. Por mendoj mendoj që siç tha ambasadori amerikan, ka pasë koordinim politik”, ka thënë ai.

Në fund, Qalaj tha se beson që nga bisedimet në Bruksel, do të gjendet një zgjidhje me këtë çështje.

Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i thanë Nacionales që ta lexojë komunikatën për media, të publikuar dje nga kjo parti.

LDK në këtë komunikatë, theksonte se sipas tyre, institucionet nuk ishin koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të gatshme për situatën e krijuar.

“Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme. Ndërsa sot, pas dështimit, Presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë? Opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet. Opozita mund të ndihmojë Qeverinë që të mos gabojë, por nuk mund të marrë përsipër dështimet e saj,” thuhej në komunikatën e këtij subjekti politik.

Kontaktuam edhe “doktor Palin”, pra deputetin Pal Lekaj nga AAK-ja. Ai ishte edhe më diplomatik në gjuhën e tij.

Megjithatë, ai bëri thirrje nga Qeveria të përgatitet, që veprimi i lënë në gjysmë të realizohet.

“Ne mbështesim çdo veprim të Qeverisë që është në shërbim të forcimit të sundimit të ligjit në pjesën veriore të republikës sonë. Reciprociteti është e drejtë ligjore e çdo shteti sovran dhe është vendim i drejtë, sikur që ishte taksa 100% e vendosur nga qeveria Haradinaj, e që pati efektin e saj pozitiv atëkohë. Është shumë me rëndësi që Qeveria çdo veprim të saj në këtë pjesë vendit ta studiojë dhe ta analizojë mirë, gjjthmonë në bashkëveprime me aleatët tanë e sidomos me partnerin tonë më të afërt ShBA-të. Gjatë afatit 30 ditor qeveria do duhej që të përgatitet seriozisht që veprimi i lënë në gjysmë të realizohet”, tha Lekaj për Nacionalen.

Gjithçka çfarë ndodhi të dielën

Vendosja e masës së reciprocitet, shkaktoi tensione dhe dhunë në rrugët e veriut të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës mori vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimi. Reciprociteti u shtye për 30 shtator pas kërkesës së ambasadorit të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili takoi në mënyrë urgjente krerët e shtetit.

Pas paralajmërimit të masë së reciprociteti serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Në këto dy pika pati edhe tensione mes policisë së Kosovës dhe serbëve që bllokuan rrugë. Ndërkaq, policia ka konfirmuar se ka pasur edhe të shtëna me armë.

Pas kësaj këto dy pika u mbyllën, dhe u kërkua nga mërgimtarët që të përdorën rrugë tjera alternative.

Në anën tjetër, pasi qeveria vendosi ta shtyjë zbatimin e vendimit, dje gjatë ditës u hoqën barrikadat, dhe vendimi u pezullua zyrtarisht. Deri në atë kohë, mbi 1 mijë dokumente u lëshuan për serbët që kishin pasaporta e letërnjoftime të Serbisë.

Lajme të ngjashme