Pas vërejtjeve të Nacionales, Bajrami i “gudulis” pak gabimet: heq veç 2, 19 i “mrizojnë”
Anëtari korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, Arsim Bajrami, ka reaguar pas vërejtjeve të Nacionales për dhjetëra gabimet e tij në një shkrim në “Facebook”, duke përmirësuar vetëm dy prej tyre. Të tjerat po i “mrizojnë”.
Bajrami i ka përmirësuar vetëm fjalët “studentë” dhe “kolegë”, ndoshta për shkak të respektit të madh që ka për ta. Megjithatë, ish-ministri i Arsimit nuk ka harxhuar kohë për t’i përmirësuar gabimet e tjera – jo më pak se 19. Prapëseprapë, siç thotë populli, më mirë pak se hiç.
Sidoqoftë, ky numër mbetet shumë prapa, nëse e krahasojmë me numrin e gabimeve në “analizën” e publikuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës – 118. Ky institucion ka reaguar, duke thënë se shkrimi është i kryetarit Mehmet Kraja. Seksioni i Shkencave Shoqërore është distancuar nga shkrimi i Krajës, duke thënë se dokumenti nuk ka qenë i autorizuar për publikim.
Profesori Bajrami njoftoi të enjten për përfundimin e studimit të tij, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte Juridike”, duke thënë se libri ka mbi 700 faqe e dhjetë kapituj. Jemi kureshtarë që, përpos leximit të përmbajtjes, ta marrim vesh edhe numrin e të gjitha gabimeve gjuhësore që mund t'i ketë ky libër.
Ai ka paralajmëruar se parathënia dhe “rezymeja” e librit do të botohen edhe në gjuhën angleze dhe në gjuhën “frenqeze” (domethënë frënge). Shpresojmë që përkthyesit e këtyre pjesëve të librit të kenë qenë më të kujdesshëm se profesor Bajrami.

