Pas Thaçit, Lajçak s'ka dyshim se edhe Kurti bashkë me Vuçiqin mund të nominohet për çmim Nobel - NACIONALE

Pas Thaçit, Lajçak s'ka dyshim se edhe Kurti bashkë me Vuçiqin mund të nominohet për çmim Nobel

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Para disa viteve, nuk pritej shumë që opozitari i atëhershëm, Albin Kurti, të ulet në një tryezë bisedimesh me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Por përveç se u takuan disa herë, njëjtë si ish-presidenti Hashim Thaçi, edhe kryeministri Kurti mund të nominohet për çmim Nobel për Paqe, por bashkë me Vuçiqin.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak s’e ka asnjë dyshim. Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, kualifikon Kurtin e Vuçiq për çmimin Nobel.

Këtë, ai e tha mbrëmë në një intervistë për BBC, edicioni në gjuhën serbe.

“Normalizimi i marrëdhënieve sigurisht që do t’i kualifikonte dy liderët për çmimin Nobel, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, ka thënë ai.

Nominimi i Thaçit

Në vitin 2013, një grup ligjvënësish amerikanë kishin nominuar kryeministrin e atëhershëm të Kosovë, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Ivica Daçiq, bashkë me shefen e politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, kandidatë për çmimin Nobel të Paqes.

Njoftimi ishte bërë nga Eliot Engel dhe Robert Aderholt, të cilët kishin thënë se Thaçi, Daçiq e Ashton, e meritojnë të nderohen për rolin e tyre kritik në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Thaçi për këtë çështje, u ishte drejtuar qytetarëve përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ku kishte thënë se çmimi, u takon atyre.


“Çdo vendim politik që kam marrë në jetë, sado i vështirë e jopopullor të ketë qenë ai në momente të caktuara, e kam marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës dhe të kombit tim”,
kishte thënë ai.

Një nominim i mundshëm për çmimin Nobel për Paqe, ishte përfolur gjatë vitit 2018 edhe për Thaçin e Vuçiq, gjithmonë në rast të arritjes së ndonjë marrëveshje mes dy vendeve.

18 gushti

Kohëve të fundit, zërat për një marrëveshje finale janë shtuar edhe më shumë. Edhe çështja e Asociacionit, të cilën Kurti e kishte kundërshtuar duke thënë se formimi i komunave me shumicë serbe nuk do të nodhë, po përmendet më shumë.

Zhvillimet në veri të vendit, më 31 korrik, një ditë para se të hynte në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targat dhe dokumentet serbe, prodhuan një takim të ri Kurti-Vuçiq.

Këta të dy, fiks para një jave u takuan në Bruksel, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian, Mirsolav Lajçak dhe shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Kurti e Vuçiq, për gati pesë orë qëndruan të ulur në një tavolinë, në një sallë, dhe populli vetëm dje mori një shpjegim nga kryeministri, se çfarë ndodhi atë ditë.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, tha se në agjendë ishin dy pika kryesore, diskutimi për arritjen e marrëveshjes finale dhe çështet aktuale.

Mes tjerash Kurti foli edhe për gjashtë kapitujt e marrëveshjes finale, që sipas tij, është elaborim i qartë i palës kosovare për kornizën e përgjithshme të saj.

Një takim tjetër i Kurtit me Vuçiq, është raportuar se mund të ndodhë deri më 1 shtator, kur hyn në fuqi vendimi për reciprocitet.

Emisari amerikan, Gabriel Escobar dhe ai evropian, Mirsolav Lajçak kanë qëndruar në Kosovë gjatë dy ditëve të kaluara, dhe u raportua, se kanë kërkuar që vendimi të shtyhet për tre muaj, por deri tani nuk është konfirmuar asgjë.

Gjatë vizitës në Kosovë, ata janë takuar me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe me liderët e partive opozitare.

Ndërkohë, Escobar dhe Lajçak po qëndrojnë në Serbi ku e kanë takuar presidentin Vuçiq, diskutimet me të cilin i kanë konsideruar “të vështira” dhe “të gjata”.




Lajme të ngjashme