Paraqiten edhe 50 viktima në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, kërkohet refuzimi i 20 prej tyre - NACIONALE

Paraqiten edhe 50 viktima në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, kërkohet refuzimi i 20 prej tyre

1 vit më parë

nga Besian Beha

Edhe 50 viktima të pretenduara, janë paraqitur në Gjykatën Speciale në procesin që po zhvillohet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Prej gjithë këtyre aplikimeve, Zyra për Regjistrimin e Viktimave ka kërkuar që 30 personave t’u aprovohet statusi i viktimës, kurse 20 të tjerëve t’u refuzohet. Nacionale ka parë dokumentin dhe sjell detaje.

Edhe 30 persona pritet ta marrin statusin e viktimës në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara. Kjo nëse gjyqtari i procedurës paraprake e aprovon kërkesën e Zyrës për Regjistrimin e Viktimave. Kjo zyrë ka rekomanduar që nga 50 aplikimet e fundit, 30 të aprovohen e 20 të refuzohen.

6 anëtarëve të një familjeje pritet t’i aprovohet kërkesa për ta marrë statusin e viktimës në gjykimin ndaj Thaçit. Kjo pasi Zyra ka rekomanduar se ata kanë arritur të dëshmojnë që janë viktimë indirekte e krimeve të pretenduara të ushtarëve të UÇK-së. Sipas raportit, një familjar i tyre sipas aktakuzës së ndryshuar, ka pësuar dëme fizike, materiale dhe mendore si pasojë e trajtimit të pretenduar nga ish-ushtarët e UÇK-së.

Në një pjesë të raportit të Zyrës së Viktimave, thuhet se aplikantët kanë arritur të dëshmojnë të gjitha pretendimet me dokumente mjekësore, transmeton gazeta Nacionale.

“Aplikantët Viktima-110/06, Viktima-112/06, dhe Viktima-163/06, janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të persekutimit, ndalimit të paligjshëm, zhdukjes së detyruar të trajtimit mizor dhe vrasjes së një anëtari të familjes. Anëtari i familjes u dërgua në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar në periudhën përkatëse. Kërkuesit pretendojnë se kanë pësuar dëme mendore dhe materiale. Ata kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin mbështetës që posedonin”, thuhet në raportin e Zyrës së Viktimave në Gjykatën Speciale.

Pjesa më e madhe e këtyre personave, janë familjarë të personave që pretendojnë se kanë qenë viktimë e krimeve që janë plotësuar në aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

“Aplikantët Viktima-191/06 dhe Viktima-212/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të zhdukjes me forcë të një anëtari të ngushtë të familjes. Anëtari i familjes u dërgua në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar në periudhën përkatëse dhe familjes iu mohua informacioni. Kërkuesit pretendojnë se kanë pësuar dëme fizike, mendore dhe materiale dhe nuk kanë dokumente mbështetëse”, thuhet në raportin e Zyrës së Viktimave.

“Aplikantët Viktima-196/06, Viktima-197/06, Viktima-198/06, Viktima-199/06, Viktima-200/06, Viktima-201/06, dhe Viktima-202/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të rrëmbimit dhe vrasjes së dy anëtarëve të ngushtë të familjes. Eshtrat e tyre u gjetën në një nga vendet e krimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar në periudhën përkatëse. Kërkuesit pretendojnë se kanë pësuar dëm mendor dhe disa prej tyre edhe material. Ata treguan se nuk kishin asnjë dokumentacion për dëmtimin”, thekson raporti.

Të gjitha këto viktima të pretenduara, janë grumbulluar në Grupin A të këtyre viktimave.

Megjithatë, jo të gjithë viktimat e pretenduar arritën ta dëshmojnë me dokumente.

“Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të rrëmbimit të një anëtari të familjes së ngushtë nga UÇK-ja në territorin e Kosovës brenda periudhës së aktakuzës. Ngjarjet e përshkruara nuk mund të lidhen me akuzat siç janë specifikuar në aktakuzën e ndryshuar. Kërkuesit pretendojnë se kanë pësuar dëme mendore dhe materiale. Ata dorëzuan të gjithë dokumentacionin mbështetës në dispozicion”, thotë raporti.

“Aplikantët Viktima-109/06, Viktima-161/06 dhe Viktima-162/06, janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të rrëmbimit të një anëtari të familjes së ngushtë nga UÇK-ja në territorin e Kosovës brenda periudhës së aktakuzës. Ngjarjet e përshkruara nuk mund të lidhen me akuzat siç janë specifikuar në aktakuzën e ndryshuar. Kërkuesit pretendojnë se kanë pësuar dëme mendore dhe materiale. Ata dorëzuan të gjithë dokumentacionin mbështetës në dispozicion”, thuhet në raport.

Cilat viktima u pranuan dhe cilat u refuzuan?

Të gjitha viktimat e pretenduara deri më tash, kanë mbetur tërësisht anonime. Edhe në këtë rast, ato janë ndarë në grupe dhe janë specifikuar vetëm me shifra. Nacionale sjell shifrat e secilës prej viktimave që Zyra ka rekomanduar të pranohen, dhe të tjerët që ka kërkuar të refuzohen.

Të pranuar: Viktima-97/06, Viktima-99/06, Viktima-100/06, Viktim-a101/06, Viktima-102/06, Viktima-103. /06, Viktima-110/06, Viktima-112/06, Viktima-163/06, Viktima121/06, Viktima-122/06, Viktima-123/06, Viktima-124/06, Viktima-125/06, Viktima -180/06, Viktima-186/06, Viktima-187/06, Viktima-188/06, Viktima-191/06, Viktima-212/06, Viktima195/06, Viktima-196/06, Viktima-197/06 , Viktima-198/06, Viktima-199/06, Viktima-200/06, Viktima-201/06, Viktima-202/06, Viktima-203/06 dhe Viktima-204/06.

Sipas Zyrës, këto viktima kanë arritur të dëshmojnë me dokumente se kanë qenë viktimë e krimeve të kryera gjatë luftës.

Të refuzuar: Viktima-88/06, Viktima-90/06, Viktima-89/06, Viktima-91/06, Viktima-92/06, Viktima-93/06, Viktima-94/06, Viktima -104/06, Viktima-106/06, Viktima-107/06, Viktima-109/06, Viktima-161/06, Viktima-162/06, Viktima-164/06, Viktima 165/06, Viktima-167/06 , Viktima-171/06, Viktima-168/06, Viktima-169/06 dhe Viktima-170/06

Këto viktima të fundit, nuk kanë arritur të vërtetojnë se pretendimet e tyre janë pjesë e aktakuzës së ndryshuar, dhe nuk ndërlidhen me juridiksionin e Gjykatës Speciale.

Viktimat kanë kërkuar edhe masa mbrojtëse.

“13 aplikantë kërkuan moszbulim për publikun; – 12 aplikantë kërkuan moszbulim për publikun dhe të akuzuarit; – 3 aplikantë kërkuan moszbulim të akuzuarit; – 6 aplikantë kërkuan moszbulim për publikun, të akuzuarin dhe avokatin mbrojtës; 4 kërkuan moszbulim për publikun, Prokurorinë, të akuzuarin dhe mbrojtësin; dhe –12 nuk kërkuan asgjë”, thuhet në raport.

Këto aplikime vijnë pas aktakuzës së ndryshuar të Prokurorisë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Sipas aktakuzës, të dyshuarit janë përgjegjës për krime lufte në Konviktin e Gjilanit dhe fshatin Semetishtë të Suharekës.

Deri më tash, Gjykata Speciale ka pranuar më shumë se 30 viktima në procesin ndaj krerëve të UÇK-së.

Lajme të ngjashme