Specialja pranon edhe 12 viktima në rastin e Thaçit me të tjerët, pretendon se ka prova për të gjithë
Edhe 12 viktima janë pranuar nga Gjykata Speciale në Hagë, në procesin që po zhvillohet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Të gjitha këto viktima, gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur se janë viktima direkte ose indirekte të krimeve që janë kryer në kohën e luftës, dhe që hyjnë në domenin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Në vendimin e gjyqtarit francez Nicollas Gillou, e të cilin e ka parë gazeta Nacionale, thuhet se “ka prova që viktimat që kanë aplikuar kanë qenë viktimë e drejtpërdrejtë e krimeve, dhe i pranon për të marrë pjesë në procedurën penale”.
Deri më tash, në total, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, janë pranuar 32 viktima të pretenduara. Nëntë prej këtyre viktimave u aprovuan në muajin prill 2021, 11 viktima të tjera u konfirmuan në muajin dhjetor, gjithashtu të vitit të kaluar, dhe 12 viktimat e fundit, vendimi i të cilave u publikua dje.
Ideniteti e as etnia e viktimave nuk është bërë e ditur, por ato janë paraqitur me shifra dhe janë ndarë në grupe ku do të marrin pjesë më pas gjatë gjykimit. Viktimat e kanë gjithashtu të drejtën e avokatit, i cili merr pjesë dhe ka të drejtë të bëjë pyetje gjatë shqyrtimeve gjyqësore.
“Gjyqtari është i bindur se të gjithë aplikuesit kanë pësuar dëmtime si lëndime fizike, dëmtim mendor e dëme materiale si rezultat i keqtrajtimit të supozuar. Viktimat kanë pësuar dëmtime mendore, trauma, dhimbje emocionale, depression e frikë”, thuhet më tutje në vendim.
Detaje nga vendimi i gjyqtarit
Fillimisht në vendimin e Gjykatës Speciale, u vërejt se viktima me shifrën 56/06 kishte aplikuar edhe në emër të familjes së tij. Gjyqtari vendosi që i njëjti të dorëzojë aplikimin kolektiv, që është i mundshëm sipas rregulloreve të Speciales.
“Gjyqtari i procedurës paraprake është i bindur se të gjithë aplikuesit për viktima, janë persona fizikë. Gjykatësi vlerëson se të gjithë aplikantët janë viktima të krimeve që pretendohet se janë kryer në lokacionet e identifikuara në aktakuzën e ndryshuar, dhe krimet e supozuara bien mbi fushëveprimin kohor të akuzave, ashtu siç edhe specifikohet në aktakuzën e ndryshuar në lidhje me lokacionet”, thuhet në vendim, raporton gazeta Nacionale.
Të gjitha këto aplikime, gjyqtari ka vërejtur se kanë qenë subjekt i ndalimeve të paligjshme, torturës, arrestimeve, qoftë personalisht, por në disa raste edhe viktimë indirekte, pra kur familjarët e aplikantëve kanë pësuar nga këto krime të pretenduara.
“Viktima 21/6 është viktimë e drejtpërdrejtë e persekutimit, burgimit e ndalimit të paligjshëm, akteve çnjerëzore, trajtimit mizor e torturës të kryera në (REDAKTUAR). Viktima pretendon se ka qenë viktimë e krimeve edhe në vitin 2004, por gjyqtari kujton se këto krime nuk janë nën juridiskionin e Dhomave të Specializuara.”
“Viktimat 44/06, 45/06, 46/06 dhe 47/06, janë viktima indirekte e përndjekjes, burgimit e ndalimit të paligjshëm që dyshohet se janë kryer në (REDAKTUAR), ndaj një anëtari të ngushtë të familjes së tyre. Gjyqtari vëren se viktimat pohojnë se ende nuk dihet fati i familjarit të tyre. Gjyqtari vëren se ky anëtar i familjes nuk është në mesin e viktimave të vrasjes apo zhdukjes me forcë të përmendur në aktakuzën e ndryshuar, dhe për rrjedhojë, vrasja ose zhdukja e anëtarit të familjes bie jashtë fushëveprimit të akuzës.”
“Viktima 53/06 është viktimë indirekte e arrestimit dhe e paraburgimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, kinse e kryer në REDAKTUAR, ndaj një anëtari të familjes së ngushtë të familjes i cili përmendet si viktimë në aktkauzën e ndryshuar. Megjithatë, gjyqtari vëren se anëtari i familjes nuk është në mesin e viktimave të zhdukjes me forcë në aktakuzën e ndryshuar.”
“Viktima 54/06 është viktimë direkte dhe indirekte e burgimit e ndalimit arbitrar, akteve tjera mizore të kryera në REDAKTUAR, kundër tij personalisht dhe një anëtari të ngushtë të familjes i cili përmendet si viktimë në aktakuzën e ndryshuar.”
“Viktimat 55/06, 56/06 dhe 57/06 janë viktima indirekte të arrestimit e ndalimit të paligjshëm dhe zhdukjes me forcë, kinse është kryer në REDAKTUAR, kundër anëtarëve të ngushtë të familjes së tyre që përmenden në aktakuzën e ndryshuar.”
“Viktima 58/06 dhe 59/06 janë viktima indirekte të burgimit e arrestimit dhe trajtimit mizor të kryera në REDAKTUAR, kundër një anëtari të ngushtë të familjes së tyre. Megjithatë, gjyqtari vëren se ndryshe nga familja e tij, viktima 58/06 nuk është arrestuar apo dërguar në lokacionin e identifikuar në aktakuzën e ndryshuar. Ai u keqtrajtua gjoja në REDAKTUAR, dhe si i tillë, keqtrajtimi bie jashtë fushëveprimit gjeografik të akuzave.”
MBROJTJA E VESELIT ME KRITIKA
Avokati i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se mbajtja anonim e këtyre viktimave, nuk parashhihet me rregulla, dhe si rezultat shkelen të drejtat themelore të njeriut. Megjithatë, gjyqtari i procedurës parprake, ka thënë se mbrojtja e Veselit ka bërë një ngatërresë.
“Mbrojtja e Veselit duket se e ngatërron statusin e viktimës me atë të dëshmitarëve. Gjyqtari thekson se qëllimi i pjesëmarrjes së viktimave është që ata të përfaqësojnë interesin e tyre personal, dhe këtu ekziston një dallim mes viktimave dhe dëshmitarëve”, thuhet në vendimin e Speciales, raporton gazeta Nacionale.
Gjykata ka dhënë disa arsye pse kanë vendosur që këto viktima të kenë masa mbrojtëse, e t’u ruhet identiteti.
“Gjyqtari i procedurës parprake merr parasysh faktorët se viktimat vazhdojnë të vuajnë nga trauma fizike ose mendore si rezultat i krimeve që ata, ose anëtarët e familjes së tyre dyshohet se kanë qenë viktimat. Të gjithë kanë shprehur shqetësimin se zbulimi i idenitetit për publikun, avokatët, ose të akuzuarit, mund t’i rrezikojë ata ose familjet e tyre. Përveç kësaj, gjyqtari i procedurës parprake i kushton vëmendje klimës së përgjithshme të frikësimit të dëshmitarëve e viktimave që frikëson në Kosovë, veçanërisht në rastet ndaj pjesëtarëve të UÇK-së”, përfundon vendimi.
Deri më tani procesi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, mbeten në procedurën paraprake. Ndaj tyre, aktakuza është plotësuar me lokacione të reja ku pretendohet se janë kryer krime të luftës, për çka vetë ish-krerët e UÇK-së, janë deklaruar të pafajshëm.