Pas raportimeve të Nacionales, prokuroria ia bllokon Granit Gojanit 24 prona dhe 11 vila
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar në lidhje me disa veprime hetimore ndaj një të pandehuri me inecialet G.G., i cili dyshohet për dy vepra penale. Nacionale ka kuptuar që i pandehuri me këto iniciale është Granit Gojani, pronar i GG Exclusive, për të cilën mediumi ynë ka raportuar disa herë, duke intervistuar persona që deklaronin se janë mashtruar rreth ndërtimit të villave. Çfarë ndodhi?
Në mëngjes, përmes një njoftimi, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka treguar se ka ndaluar përkohësisht 24 prona të paluejtshme dhe 11 vila, pasi ato dyshohet të jenë përfituar me vepër penale. Vlera e këtyre pronave llogaritet të jenë qindra mijëra euroshe.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në vazhdën e veprimeve hetimore në çështjen penale kundër të pandehurit G.G për veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323 par 4 dhe “Shmangia nga Tatimi”, nga neni 307 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të 24 pronave të paluajtshme dhe 11 objekteve (villa), për të cilat ka dyshim të bazuar se janë përfituar me vepër penale. Vlera e pasurisë së bllokuar llogaritet të jetë qindra mijëra euroshe dhe sipërfaqja totale e pronave të bllokuara përkohësisht është 55687 metra katrorë. Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar në zbatimin e Ligjit dhe ndjekjen penale të kryesve të veprave penale” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Kosovës.
Raportimet e Nacionales dhe arrestimi i Gojanit
Përmes rrëfimeve të disa personave, Nacionale ka arritur të shpëfaqë dyshimet serioze për mashtrim të Gojanit ndaj investitorëve të ndryshëm. Skema e mashtrimit ka qenë e qartë: GG Exclusive ka marrë paratë për ndërtimin e vilave, të cilat asnjëherë nuk u ndërtuan.
I dyshuari në këtë rast, Granit Gojani, thuhet se ka marrë qindra mijëra euro nga të dëmtuarit për t’iu rregulluar vila druri, të cilat nuk i ka përfunduar kurrë, e disa prej tyre as nuk i ka nisur. Rrëfimi i parë i realizuar nga gazetarja Besarta Hoti, ishte me një qytetar nga Vushtrria, i cili për Nacionale ka deklaruar se ka paguar mbi 8 mijë euro tek GG Exclusive, për një vilë që nuk iu ndërtua kurrë.
Personi i dytë që është rrëfyer për Nacionale, ka qenë një mërgimtar, i cili kishte paguar mbi 50 mijë euro për vilën që s’iu kishte ndërtuar kurrë. Gazetarja kishte tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kompania për të parë pse nuk iu kanë përmbajtur kontratës:
Ndërkaq, në rrëfimin e tretë, i mashtruar gjithashtu ka qenë një mërgimtar nga Amerika, i cili kishte paguar mbi 13 mijë euro tek kompania GG Exclusive, por që të njëjtit vila nuk iu kishte ndërtuar asnjëherë.
Të gjitha rrëfimet e viktimave të dyshuara janë të njëjta, ndërsa pas këtyre raportimeve të Nacionales, prokuroria kishte nisur me hapat e saj hetimor. Tashmë Gojani gjendet në paraburgim.