Pas një ankese, gratë në pishinat publike të Berlinit do të lejohen të qëndrojnë me gjoks të zhveshur
Gratë në Berlin së shpejti do të mund të qëndrojnë me gjoks të zhveshur në pishinat publike të qytetit, njësoj si burrat, tha të enjten qeveria rajonale.
Rregullat e reja, që ua lejojnë të gjithëve hyrjen në pishinë pa rroba në pjesën e sipërme të trupit, erdhën pas një ankese për diskriminim nga një grua, e cila nuk ishte lejuar që të qëndronte me gjoks të zhveshur në një pishinë të kryeqytetit gjerman, raporton agjencia “Associated Press”.
Gruaja që e paraqiti ankesën, identiteti i së cilës nuk është zbuluar, i ishte drejtuar zyrës së avokatit për trajtim të barabartë në senatin shtetëror që të kërkonte që gratë të lejoheshin të notonin si burrat, pa rroba në pjesën e sipërme të trupit, thuhet në një deklaratë të senatit të Berlinit për drejtësi, diversitet dhe anti-diskriminim.
Më tej, në deklaratë shtohet se, si reagim ndaj ankesës dhe ndaj përfshirjes së avokatit të popullit në këtë rast, kompania që i menaxhon pishinat publike vendosi që t’i ndryshonte rregullat e veshjes.
“Zyra e avokatit të popullit e mirëpret shumë vendimin e kompanisë “Baederbetriebe”, sepse ai vendos të drejta të barabarta për të gjithë berlinasit, qofshin meshkuj, femra apo jo-binarë dhe për shkak se ai, gjithashtu, krijon qartësi ligjore për stafin e kompanisë”- tha Doris Liebscher-i, drejtor i zyrës së avokatit të popullit.
Në të kaluarën, grave që shkonin me gjokse të zhveshura në pishinat e Berlinit, u kërkohej që të mbuloheshin ose të largoheshin nga pishina dhe nganjëherë u ndalohej rikthimi.
“Tani është e rëndësishme që rregullorja të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të mos lëshohen më përjashtime ose ndalime”- shtoi Liebscher-i.
Nuk qe menjëherë e qartë se kur saktësisht do të fillojë zbatimi i rregullave të reja në pishina.