Pas nisjes së Asociacionit ‘paralelisht’ njohja e institucioneve të Kosovës nga Serbia: Qe çka u tha në Raportet e KE-së
Asociacioni, pastaj paralelisht nisja e njohjes së dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia.
Në këto dy traka vendosen obligimet e palëve të marra në Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit të shkruara në dy Raportet e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën dhe Serbinë.
Renditja, megjithatë – sintaksisht – ia rëndon barrën e parë Kosovës me miratimin e draft-Statutit të BE-së për Asociacionit (i ofruar më 21 tetor, 2023) dhe dërgimi i tekstit për rishikim kushtetues në Gjykatln Kushtetuese.
Pas kësaj, Serbisë i kërkohet “në paralel” të nis zbatimin e obligmeve të saj: njohjen e dokumenteve, simboleve shtetërore dhe institucionet e Kosovës.
Marrëveshja si e tillë – kështu siç është – jepet për “ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme” ndërsa shpërfillen çfarëdo kërkesa për formalizimin e saj: përkatësisht, atë çka Kosova kërkon me nënshkrim bilateral dhe deponim të saj të Këshill të Sigurimit të OKB-së.
Për më tepër, draft-Statuti i Asociacionit vlerësohet nga KE të jetë “plotësisht në përputhje me kornizën kushtetuese të Kosovës”.
“Kosova pritet të fillojë procesin që çon në themelimin e A/CSM bazuar në propozimin evropian të paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Serbia pritet të fillojë të përmbushë obligimet e saj nga Marrëveshja paralelisht duke inicuar njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve”, thuhet identikisht në dy raportet.
“Marrëveshja është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme për palët dhe çdo formalitet, përfshirë miratimin ose ‘formalizimin’ e saj, nuk duhet të pengojë përparimin në zbatimin e saj. Palët gjithashtu kanë detyrimin të zbatojnë plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar”.
“Konstruktiviteti i Palëve do të vlerësohet bazuar vetëm në performancën e tyre të zbatimit. Normalizimi i marrëdhënieve mbetet një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”.
Kursi në veri qortohet me të madhe
Kursi i ndjekur në veri nga qeveria kosovare është vlerësuar “vazhdimsht kundër obligimeve të dialogut” duke renditur prej aksioneve policore e vendimeve për ndalimin e valutës serbe.
“BE-ja shprehu vazhdimisht shqetësime për mungesën e vazhdueshme të koordinimit nga Kosova dhe ndikimin negativ tek njerëzit në terren, ndërsa përsëriti se veprimet mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme – më së fundi në deklaratën e saj të 30 gushtit 2024”, thuhet në raport.
Pastaj pason kritika ndaj Serbisë për pengim të normalizimit të marrëdhënieve nga fakti se s’ka ofruar llogaridhënie për sulmet e dhunshme ndaj KFOR-it në maj të vitit të kaluar si dhe sulmin paraushtarak dhe terrorist në Banjskë.
“Ky ishte përshallëzimi më i rëndë në vitet të fundit”, thuhet në raport.
“Në përgjithësi, Serbia dhe Kosova kanë marrë pjesë në Dialog, por ata duhet të demonstrojnë përkushtim më serioz dhe konstruktiv për të avancuar procesin e normalizimit”, thuhet në raportet.
“Duke ecur përpara, Serbia dhe Kosova gjithashtu duhet të bëjnë përpjekje të mëtejshme thelbësore për të shmangur veprimet që minojnë stabilitetin dhe retorikën që nuk është e favorshme për dialogun dhe pajtimin”, shkruhet më tej.