Pas luftës me Serbinë, Kurti e quan luftë edhe grevën e sindikatave e komunave – kritikohet rëndë - NACIONALE

Pas luftës me Serbinë, Kurti e quan luftë edhe grevën e sindikatave e komunave – kritikohet rëndë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar të përmend luftën. Por, kësaj radhe jo me Serbinë. Termin luftë Kurti e përmendi në relacion me grevën e sindikatave dhe qasjen e komunave. Mënyra dhe arsyeja pse po grevohet duket të mos i ketë pëlqyer hiç z.Kurtit, pasi ai rezervoi termet më të rënda por t’i përshkruar situatën me grevë në Kosovë, e cila gjuhë u kritikua ashpër nga sindikalistët, opozita e analistë.

“Papërgjegjësi totale e absolute”, “luftë ndaj qeverisë e shtetit”, “rrënim i shtetit”, “kërkesa absurde”, qenë vetëm disa nga termet e togfjalëshit që kryeministri Kurti i përdori për të shpjeguar mendimin e tij rreth grevës në arsim e administratë.

Madje, Kurti shkoi aq larg sa t’i bëjë përgjegjës Sindikatën e Bashkuar të Arsimit për nivelin e keq të arsimit, nga i cili sipas shefit të ekzekutivit 3/4 e fëmijve i nxjerr analfabetë funsional, që përfundojnë ose në asistencë osë punëtorë krahu në Gjermani.

Të gjitha këto ngjallën reagime të shumta në radhët e sindikalistëve, opozitës kosovare, e analistëve politikë.

“Bombat” e Kurtit

Kurti ka shpërthyer. Edhe atë në nivele nukleare. Kuptohet në gjuhë.

Nga objekti i Qeverisë, dje shefi i ezkekutivit i quajti delirante kërkesat e grevistëve, duke i akuzuar se po dëshirojnë shkatërrimin e shtetit.

“Është papërgjegjësi absolute”, ishte togfjalëshi që Kurti përdori për të sulmuar grevistët, kërkesat e të cilëve i cilësoi si absurde, irracionale, e delirante.

Kryeministrit Kurti me një gjuhë të ashpër, ka sulmuar grevistët, duke i bërë fjatorë për rezultatet e këqija në testin PISA, ndërsa i akuzoi se kanë tendencë për të shkatërruar shtetin.

“Në një Kosovë ku testet e PISA-s po naj nxjerrin 3/4 e fëmijve si analfabetë funksionalë, ta shantazhosh, ta kërcënosh qeverinë, me rrënim të shtetit se shkolla është shteti, është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi.”, tha fillimisht Kurti.

“Por, ju po e shihni çka po ndodh, veç kërkesë për pare, për ta bankrotuar shtetin, për ta shkatërruar shtetin. Është papërgjegjësi totale.”, vazhdoi Kurti.

Kurti tha se ai nuk shantazhohet, duke i vlerësuar kërkesat e SBASHK-ut si absurde e irracionale.

“Unë jam social-demokrat dhe organizimi sindikal është për të drejtat e punëtorëve. Por kërkesat absurde irracionale, që janë më shumë dëshira arbitrare nuk mund të ecin përpara… “Është papërgjegjësi totale, për ta bojkotuar shtetin për ta shkatërruar shtetin.”, theksoi tutje Kurti.

Madje Kurti tha se sistemi arsimor në Kosovë nxjerr kuadro jo të mira, duke shtuar se njerëzit ose bëhen për asistencë sociae ose punëtorë krahu në Gjermani.

“Të krijosh ditë pa punë për mësimdhënësit dhe ditë pa mësim për fëmijët është përgjegjësi tejet e madhe. Nuk është veç politike e shoqërore, është historike, sepse pikërisht duke nxjerrë analfabetë funksional e duke menduar veç për paga po përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. Kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik mandej. Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor”, ka thënë Kurti.

Kritika ndaj z.Kurtit

Më i shkurti në kritikën e tij, për çudi, ishte lideri i partisë më të madhe opozitare, Memli Krasniqi.

Kreu i Partisë Demokratike shkroi një status të shkurtër, në të cilën i tha kryeministrit me i “qitë rrogat”.

“Kryeministër, lej pallavrat, qiti rrogat!”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i reagoi Kurtit pasi pretendoi se “komunat i kanë shpallur luftë”.

“Sot, Kurti dështoi të kapërcej veten. Refuzoj dialogun dhe nuk arriti të trajtojë me respekt shtetari problemin e mësimdhënësve tanë - njerëzve të këtij vendi. Zgjidhjet e tij të njëanshme që nuk plotësojnë nevojat themelore të mësimdhënësve, janë veçse improvizim. Si i tillë, ky plan pa dialogim, thellon përçarjen e mbanë shkollat tona të mbyllura… Që të dy, komunat e mësimdhënësit, janë vet shteti”, ka thënë Abdixhiku”, shkroi mes tjerash ai në Facebook.

AAK i sugjeroi kryeministrit ta ndërrojë ministrin e Financave, ndërsa sulmet ndaj komunave i cilësoi si ofendim.

“Sulmet që kryeministri u bën komunave për, siç shprehet ai, sulm ndaj shtetit, janë ofendimi më i madh që u bëhet atyre.”, shkroi partia e Ramush Haradinaj në Facebook.

Edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, që mbledh të gjithë kryetarët e komunave, lëshoi një komunikatë për media, në të cilën theksoi se kundërshton deklaratat e kryeministrit.

Lajme të ngjashme