Pas “kërkesës së ShBA-së”, Euronews Serbia raporton se aplikimi i Kosovës në KiE s’u vendos sot në agjendë - NACIONALE

Pas “kërkesës së ShBA-së”, Euronews Serbia raporton se aplikimi i Kosovës në KiE s’u vendos sot në agjendë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE) nuk e ka përfshirë në agjendën e takimit të sotëm kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, ka raportuar Euronews edicioni në gjuhën serbe. Ky artikull, vjen pas atij ku u tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që aplikimi mos të shqyrtohet derisa të ndërrojë qasja e Prishtinës rreth Asociacionit.

Euronews Serbia duke cituar burime diplomatike, ka thënë se sot nuk është diskutuar rreth kësaj çështje.

Tutje, citohet edhe raportimi i ditësh së djeshme ku përmendej një kërkesë e ShBA-së.

Nacionale ka kontaktuar zëdhënësin e KiE-së, z.Dujan Vojnovic, për të konfirmuar ose demantuar një raportim të tillë, por deri në këto momente nuk kemi marrë përgjigje.

Çka u raportua?

Euroneës në edicionin serb duke cituar burime, ka raportuar se ShBA-ja përmes letrave që u ka nisur ministrive të punëve të jashtme të disa shteteve evropiane, ka kërkuar që mos të shqyrtohet aplikimi i Kosovës.

“Ministritë e punëve të jashtme të disa shteteve evropiane, që janë anëtare të Këshillit të Evropës, kanë marrë një letër nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të cilën thuhet që Ëashingtoni konsideron se çështja e pranimit të Kosovës në Këshill nuk duhet të vendoset në agjendën e Komitetit të Minisrave,”ka mësuar ky medium nga burime diplomatike në Evropë.

Sipas këtyre burimeve, një gjë e tillë nuk duhet të ndodh deri kur “Kosova të ketë një pozicion më të përshtatshëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që do të shtronte rrugën drejt propozimit për marrëveshjen bazike mes Beogradit dhe Prishtinës.”

Veç kësaj, Euronews Serbia ka pretenduar se tashmë me këtë pozicion të ShBA-ve është pajtuar Italia, Franca dhe Gjermania.

Si u përgjigj Ambasada Amerikane?

Në një përgjigje për Nacionalen, zëdhënësja e Ambasadës Amerikane, Katherine Judd, nuk ka dhënë shumë detaje rreth “korrespodencës së pretenduar diplomatike”.

Megjithatë, ajo e ka bërë të qartë se pozicioni i ShBA-së për Asociacionin është i mirënjohur, sidomos pas opinionit të përbashkët të këshilltarit Derek Chollet dhe emisari Gabriel Escobar.

“Pozicioni i ShBA-ve është i mirënjohur: siç kanë theksuar dje Këshilltari Derek Chollet dhe Zëvendës-Asistent Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar në opinionin e tyre të përbashkët, koha për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është tash. Përtej kësaj, ne nuk mund të komentojmë mbi korrospondencën e pretenduar diplomatike.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkaq, dje më 31 janar, në objektin e Ambasadës Amerikane është mbajtur një takim ku janë diskutuar modalitetet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësues të presidentes Osmani, kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit Konjufca, ishin të pranishëm në takim.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier – që kishte detyrë edhe të moderonte diskutimin në fjalë – foli rreth takimit.

“Sot ne mbajtëm një sesion dëgjimor në Ambasdën e ShBA-ve në Prishtinë mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mirënjohës për palët e interesit që ishin të pranishme e që ndanë pikëpamjet dhe ekspertizën e tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve në Dialog,” – u shpreh ai.

Lajme të ngjashme