Pas disa muajve luftime, Rusia afër rrethimit të qytetit Bakhmut - NACIONALE

Pas disa muajve luftime, Rusia afër rrethimit të qytetit Bakhmut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ruse i goditën të premten rrugët e fundit që shërbejnë për dalje nga qyteti Bakhmut, me qëllim që ta kompletojnë rrethimin e tij dhe ta sjellin Moskën më afër fitores së parë të rëndësishme në gjysmë viti pas betejës më të përgjakshme të luftës.

Shefi i grupit të mercenarëve “Wagner”, Yevgeny Prigoshin, tha se Bakhmuti, i cili është bombarduar e shkatërruar gjatë sulmeve më të gjata se shtatë muaj të Rusisë, është rrethuar plotësisht dhe se vetëm një rrugë është ende e hapur për trupat ukrainase, raporton agjencia “Reuters”.

Kjo agjenci ka parë sulme të shpeshta të Rusisë ndaj rrugëve që çojnë në perëndim të qytetit, përpjekje e qartë për ta bllokuar qasjen e forcave ukrainase për hyrje-dalje nga Bakhmuti. Një urë në qytezën Khromove, afër Bakhmutit, është dëmtuar nga predhat ruse.

Ushtarët ukrainas po punonin për t’i riparuar rrugët e dëmtuara dhe më shumë trupa janë nisur drejt vijës së frontit si shenjë se Ukraina ende nuk do ta dorëzojë qytetin. Në perëndim, ukrainasit po hapnin llogore të reja për pozicione mbrojtëse.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA, publikoi një video në të cilën tha se shihen luftëtarë të grupit “Wagner” duke ecur pranë një objekti të dëmtuar industrial. Një luftëtar dëgjohet duke thënë se ushtria ukrainase po e shkatërron infrastrukturën afër Bakhmutit për ta parandaluar rrethimin nga rusët.

Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrkyi, e vizitoi Bakhmutin të premten për të biseduar me komandantët lokalë për fuqizimin e kapacitetit mbrojtës të forcave në vijën e frontit.

Një fitore e Rusisë në Bakhmut, ku para luftës banonin rreth 70 mijë njerëz, do t’ia jepte Moskës fitoren e parë të rëndësishme në ofensivën e kushtueshme të dimrit, pasi grumbulloi qindra mijëra rezervistë vitin e kaluar.

Shefi i grupit “Wagner” i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të japë urdhër për tërheqjen e forcave nga Bakhmuti për ta shpëtuar jetën e ushtarëve.

Lajme të ngjashme