Pas ankesës së kryenaftëtarit (me djalin në Kryeministri), çmimi i naftës rritet për 11 centë për pesë ditë
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po aplikon çmimin tavan për derivatet. Nacionale ka vërejtur se brenda pesë ditëve, çmimi i naftës është rritur mjaft shumë, më konkretisht për 11 cent. Pesë ditë kanë kaluar edhe prej kur krytari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani u ankua se po operojnë me humbje, rrjedhimisht, duke thënë se rrezikojnë të falimentojnë.
Më 8 tetor, çmimi tavan për produktin dizel ka qenë 1 euro e 67 centë, për produktin Benzinë 1 euro e 39 cent dhe për Gas 76 cent.

Por prej asaj dite, çmimet e derivateve kanë shënuar rritje mjaft të lartë, prej 11 centë.
Mëngjesin e sotëm MINT përmes komunikatës, tani të rregullt për media në lidhje me këtë çështje, bëri të ditur se çmimi tavan për naftën është 1 euro e 78 centë.

Kjo, 2 centë më shumë se dje kur ishte 1 euro e 76 centë.
Ankesa e kryenaftëtarit
Berjani të shtunën e javës që lamë pasë bëri një ankesë në drejtim të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Rozeta Hajdari, duke thënë se në rast që falimentojnë për shkak të operimit me humbje, shumë punonjës do të mbesin pa vende pune.
“Vendimi i fundit i Qeverise për vendosjen e çmimeve tavan të derivateve, është skandaloz pasi që çmimi i vendosur shitës është nën çmimin blerës. Çmimi blerës për Nafte, sot është: 1.75 Euro, dje ishte: 1.68 Euro, ndërsa pardje: 1.66 Euro. Ndërsa çmimi tavan i vendosur nga Qeveria për naftë është:1.67 Euro. Vendime të këtij lloji janë duke i detyruar kompanitë te operojnë me humbje trashanike, dhe shumë shpejt shumë nga kompanitë do ë falimentojmë, për shkak qasjes së gabuar të Qeverisë në vendosjen e çmimit tavan.” – kishte shkruar ai në letrën dërguar kryeministrit Kurti dhe ministres Hajdari.
Shoqata e Naftëtarëve ishin shprehur të hapur të diskutojnë për modalitetin më të përshtatshëm për rregullim të çmimeve, duke u bazuar në analiza të mirëfillta.
Lidhja e çuditshme
Para pak ditësh, Nacionale raportoi për kryenaftëtarin Berjani dhe“lidhjen” e çuditshme të tij me Qeverinë Kurti.
Djali i tij, Dilloni, punon në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Kjo çështje, ishte trajtuar nga Nacionale edhe pak kohë më parë.
Dillon Berjani ai punon si këshilltar politik në Zyrën e Zv. Kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimin, e të cilin më herët e kishte edhe profesor. Ai është emëruar në këtë pozitë në muajin janar të këtij viti, në kohën kur Kosova u pllakos nga kriza e derivateve dhe shoqata e udhëhequr nga babai i tij po negocionte me Qeverinë për të arritur një ujdi në lidhje me marzhën e fitimeve për shitjet me pakicë dhe shumicë të derivateve.
Armend Muja nga Vetëvendosje, i pyetur në lidhje me një çështje të tillë shprehej çuditshëm. Kjo pasi ai e njihte mirë Dillonin – universitetin ku ka përfunduar studimet dhe shkallën e studimeve – por nuk e njihte babain e tij, e as që punonte në Qeverinë e Kosovës apo Dilloni Benz.
“Në ndërkohë sa i përket Dillonit, nuk e paskna pasë si ide që është këshilltar mirëpo as nuk e kam pasur ide lidhjen e tij me zotin Berjani.” – kishte thënë z. Muja në ATV për çështjen.


