Pas 10 viteve Çekia e kalon një marrëveshje të bllokuar me Kosovën; fjala e ish-kryediplomatit
Gati 10 vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, presidenti çek, Petr Pavel, ka nënshkruar ligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshjes të pezulluar me Kosovën. Siç njoftuan mediat çeke, Traktati i nënshkruar më 26 nëntor 2013, është i pari i këtij lloji midis dy shteteve. “Marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi të shkëmbehen instrumentet e ratifikimit dhe do të zbatohet nga 1 janari i vitit pas hyrjes së tij në fuqi”, raportoi “Orbitax”.
Në lidhje me këtë marrëveshja të mbetur peng për afro dhjetë vite, Nacionale ka biseduar me Ministrin asokohe të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili shpjegon edhe arsyen se pse kjo marrëveshje kishte mbetur e bllokuar.
“Kjo është marrveshje për eliminin e tatimit të dyfishtë, të cilën unë e kam pasur si priorotet që ta nënshkruaj me të gjithë vendet evropiane, por edhe me vende të tjera në botë si bazë e rëndësishme për bashkëpunim ekonomik! Ne Çeki është bllokuar nga Milos Zeman i cili ka ndjek politike pro-Putinit dhe kundër pavarësisë së Kosovës dhe i cili nuk e akreditonte as Ambasadorin e Kosovë ne Prage!”, na thotë ish-kryediplomati Hoxhaj.
Kutjojmë se ish-presidenti çek Milosh Zeman, gjatë një vizite në Beograd në shtator të 2019’ës deklaronte haptazi se do ta diskutonte me ligjëvënësit çek tërheqjen e njohjes së Kosovës. E madje edhe qysh në fillim të mandatit të tij në një intervistë me “The Economist” ishte shprehur brutalisht se “Kosova është një regjim terrorist i financuar nga narko-mafitë”.
Enver Hoxhaj, në dritën e këtyre qëndrimeve skajshmërisht problematike të ish-presidentit çek na thotë se “përderisa çdo qeveri çeke ka qenë mbështëtese e pavarësisë së Kosovës, Zemani dhe pararendësi i tij në pozitë, ka ndjekur një politike të vjetër pro-imperalizimit rus në Evropën Lindore dhe pro hegjemonisë së Serbisë në Ballkan, si fantazma të së kaluares!”.
Ndërkaq me Presidentin e ri të Çekisë, Petr Pavel, Hoxhaj është mëse optimist për prospektin e ndërtimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Prishtinës dhe Pragës.
“Me Presidentin e ri Petr Pavel ky boshllëk bashkëpunim institucional është mbushur me qartësi në mbështetje të Kosovës, dhe shpresoj që Çekia do dërgon në Prishtinë diplomatë me rangë të Ambasadorit si një emërim i plotë diplomatik!”, tha Enver Hoxhaj për Nacionalen.