Partia e Kusarit festoi 5 vjetorin, VV dhe Qeveria ia mbushën 'ndejën e ditëlindjes'
Një parti politike po i rri si fantazmë mbi krye Kosovës. Fantazma e Alternativës së Mimoza Kusarit. Do të mbijetojë, apo s'do të mbijetojë? Vetëvendosja e Kurtit duket e përkushtuar për t'i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.
Mimoza Kusari Lila është akuzuar vazhdimisht nga kritikët e saj se “ka ndërruar shpesh shefat” në politikë.
Ajo kishte punuar në Qeverinë e Bajram Rexhepit në vitet 2000, para se të bëhej pjesë e Aleancës Kosova e Re (AKR) që drejtohet nga Behgjet Pacolli. Më pas, ajo kishte qenë edhe pjesë e qeverisë që drejtohej nga Hashim Thaçi, e po ashtu edhe pjesë e grupit Parlamentar të LDK-së që drejtohej nga Avdullah Hoti.
Së fundi, ajo është bërë pjesë e një koalicioni me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, dhe ka marrë detyrën e shefes së deputetëve të kësaj partie.

Megjithatë, znj. Kusari nuk është pjesë e Vetëvendosjes zyrtarisht. Ajo ka një parti të sajën, e të cilën e ka quajtur “Alternativa”. Kjo parti politike del se ka mbushur pesë vjet ekzistencë.
Ndeja e ditëlindjes
Alternativa e Kusarit ishte themeluar në verën e vitit 2017 prej Mimoza Kusarit dhe Ilir Dedës. Për fat të keq, pak kohë pas themelimit partia ishte ndarë në dy pjesë. Deda kishte braktisur këtë projekt politik, e madje edhe krejt politikën kosovare.
Sidoqoftë, Alternativa kishte vazhduar të ekzistonte me ngulmimin e znj. Kusari.

Më 28 korrik, Kusari Lila e festoi pesëvjetorin e partisë së saj. Dhe, në mënyrë që në parti-n e ditëlindjes të kishte sa më shumë njerëz, shumica ishin njerëz të Vetëvendosjes nga Kuvendi dhe Qeveria.
Nga Kabineti qeveritar ishin ministrat: Albulena Haxhiu, Rozeta Hajdari, Xhelal Sveçla, Liburn Aliu, Elbert Krasniqi, Faton Peci dhe Fikrim Damka. Kishte megjithatë edhe zëvendësministra.

Po ashtu, aty mund ta shohim edhe Glauk Konjufcës (e i cili dha edhe një fjalë rasti) me deputetë të tjerë të Vetëvendosjes, si Saranda Bogujevci, Armend Muja, Yllza Hoti, Fitore Pacolli e Enver Dugolli.
Sidoqoftë, në këtë ndejë nuk ishin të pranishëm asnjëri nga njerëzit më të njohur të Alternativës, Ilir Deda (që është edhe bashkëthemelues) apo Hasan Preteni.
Në bazë të informatave të ofruara nga Alternativa, Konjufca e ka quajtur “bashkëpunim të domosdoshëm (VV-Alternativa) për ofrimin e një jete më të mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës.”
Në anën tjetër, Mimoza Kusari Lila në fjalën e saj ka treguar se partia e saj ka orientim liberal-demokrat.

