Pamje: Gazetari thotë se një shpërthim tjetër u dëgjua në veri të Kosovës
Pamje të reja nga situata në veri, janë publikuar nga fotoreporteri Vudi Xhymshiti, i cili po thotë se një shpërthim i pestë është dëgjuar në veri të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Xhymshiti ka thënë se persona me rroba civile, kanë thyer xhamat e objekteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
"Një shpërthim i pestë është dëgjuar me zë të lartë nga bregu verior i lumit Ibër të Mitrovicës, në veri të Kosovës, pas një skene ku disa persona me rroba civile janë parë duke thyer xhamat e objekteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës." - ka shkruar ai.
A fifth explosion is heard loud coming from the northern bank of the Ibar river of Mitrovica, north of Kosovo, following a scene where multiple plain clothes individuals were witnessed smashing windows of what is reported to be central elections commission of Kosovo facilities. pic.twitter.com/BmUkvjlNRe
— Vudi Xhymshiti (@VudiXhymshiti) December 6, 2022
Më herët, gazetari publikoi edhe disa pamje të tjera, ku shihej tym duke dalë në pjesën veriore, ndërsa tha se janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.
“Ngritet tymi pas katër shpërthimeve në bregun verior të qytetit të trazuar verior të Kosovës, Mitrovicës. Të shtëna me armë zjarri dëgjohen pikërisht tani, pasi shumë dëshmitarë okularë pohojnë se serbët e veriut mund të kenë synuar zyrën e komisionit qendror të zgjedhjeve.” - ka shkruar ai.
Gazeta Nacionale nuk ka arritur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur asnjërin pretendim të z. Xhymshiti deri tash.Çfarë po ndodhë në veri?
Mediumi serb nga Kosova, Kosovo-Online, pasditen e së martës ka raportuar se anëtarët e Komisionit Zgjedhor Komunal kanë hyrë ‘me forcë’ në objektin e komunës së Zubin Potokut të shoqëruar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës. Kjo sipas tyre ka bërë që të shpërthejë rebelimi nga disa qytetarë.
Siç mëson kjo gazetë, janë dëgjuar dy shpërthime ndërsa nga ndërtesa kanë dalë anëtarët e komisionit në fjalë dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Sipas asaj që mësuam në vend, anëtarët e Komisionit Komunal, me asistencën e Policisë, kanë hyrë me forcë në ambientet e komunës, kanë thyer dyert dhe kanë ndërruar bravat, para se të dalin nga ndërtesa,” – ka raportuar ky medium.
Sot ishte e planifikuar që të vendoseshin anëtarët e komisionit nëpër zyret e tyre. Nuk dihet nëse operacioni i tyre deri tash është kryer me sukses. Nacionale po provon të kontaktojë me organet kompetente për të marrë më shumë informacione.
Redaksia deri në këtë moment nuk ka arritur të konfirmojë në mënyrë të pavarur informacionet mbi shpërthimet në këtë qytet.
