Shpjegim fije-për-pe se qysh mashtroi me të madhe Rilind Gërvalla dje
Nacionales i kanë mjaftuar vetëm një orë kohë të gjejë regjsitrin e “lajmeve të rreme”, “manipulimin me fakte”, “dezinformatat”, që janë prodhuar ndër vite nga ‘Slobodna Bosna’.
Një kërkim i thjesht në internet, një identifikim i platformës së kontrolluesve të certifikuar të fakteve në atë vend – siç ka në çdo vend – dhe shfletimi i asaj platforme që i ka të gjitha të listuara.
Bëhet fjalë për platformën “Raskrinkavanje”, anëtare e certifikuar e Rrjetit Evropian të Kontrolluesve të Fakteve, e certifikuar e Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve, dhe e certifikuar nga platforma “Meta” (që ka në pronësi Facebook-un, Instagram-in dhe WhatsApp-in) për kontrollim të fakteve.
Vetëm një orë në këtë platformë kredibile do t’i mjaftonin gjithësecilit – edhe atij më të patrajnuarit – për të parë se për çfarë mediumi bëhet fjalë.
E listuar në rubrikën “Red Flag lista medija” që përbën alarm të kuq të lajmeve të rreme.
Në viti 2024 “Slobodna Bosna” numëron 63 artikuj “dezinformim”, 44 artikuj “manipulim të fakteve”, dhe 15 artikuj “lajme të rreme” – për të vazhduar edhe me mbi 100 sosh lajme tjera “raportim të anshëm, teori konspirative, informacione të paverifikuara (etj).
Më 2020 “Slobodna Bosna” numëron 23 artikuj si “shpërndarje e lajmeve të rreme”, 36 artikuj si “dezinformim”, dhe 12 artikuj si “manipulim të fakteve”, përtej artikujve të tjerë si “pseudoshkencë, teori konspirative”.
Pra, vetëm për një orë këto të dhëna dalin në dritë të diellit. Që kjo media është në kategori me mediat më famëkeqe në rajon si "Alo"-ja serbe, "Espreso", dhe "Originalno".
Drejtori–anëtar i Vetëvendosjes–Rilind Gërvalla, mediumit “kallxo.com” i tha që nuk do t’i mshel sytë ndaj raportimeve të tilla si ajo e Sllobonda Bosnës që ndërtoi të ashtuquajturin “hulumtim” pa asnjë provë, fakt, evidencë, shifër objektivi, asgjë të matshme e të prekshme që të përdoret për bazë qoftë edhe minimalisht profesionale e gazetareske, ku u sulmuan Nacionale dhe Periskopi mbi bazën e një thashethemnaje anonime “nga bashkëbiseduesit tanë nga Kosova”.
Kuptimësisht, “bashkëbisueduesi i tyre nga Kosova”, mund të jetë praktikisht çdo kush.
“'Bosna e Lirë' është medium serioz”, shkroi dje drejtori vetëvendosësian i RTK-së, Rilind Gërvalla derisa tregoi të ketë bërë ‘research’-in e tij për kredibilitetin e paramenduar të viteve të 90’ta të këtij mediumi. Do të thotë, ka pasur kohë të shohë kredibilitetin e kësaj medie në vitet e 90’ta, por jo në korrik të vitit 2024.
“Ajo është është publikuar e shtypur si gazetë e përditshme që nga vitet e 90-ta. Më 2015 ka kaluar tërësisht në edicionin digjital, si shumica e mediave në regjion dhe më gjerë. 'Bosna e Lirë' ka redaksi profesionale, me gazetaren e njohur boshnjake Mirha Dediç si kryeredaktore. Pos saj, aty punojnë shtatë gazetarë profesionistë dhe më përvojë, nga të tri kombësitë në Bosnje. Ajo ka edhe një fotograf profesionist, e një arkiviste administrative të redaksisë. Redaktor përgjegjës është gazetari i famshëm boshnjak Senad Avdiç”, ka shkruar Gërvalla në rolin e historiagrafit mediatik.
Por, këtu lind problemi edhe më i madh. Lavdata ndaj Senad Avdiqit. Ky i fundit në një intervistë në N1, ka pranuar publikisht se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit notorioz të Kundërzbulimit në Jugosllavi.
“A keni qenë bashkëpunëtor i KOS-it?”, pyetet ai nga N1,
“Oficerët e KOS-it ishin bashkëpunëtorët e mi”, përgjigjet Avdiq.
Gërvalla nuk ndalet, ai nis t’i bëj panegjirik e lavdata ekstravagante medias skajshmërisht kontroverze – me mestare të lajmeve të rreme mbi 100 në vit. E lë të kuptueshme që i qëndron fije për pe lajmit të rremë.
“'Bosna e Lirë' ka profil sekularist, domethënë nuk ka rrëshqitur në ujra të fanatizmave religjozë. Ajo është shquar për hetime të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Si e tillë, natyrisht që është akuzuar e paditur shpesh në gjykatë. Mirëpo, kur një gjykatë bosnjake e pat dënuar redaktorin përgjegjës Avdiç për disa artikuj hetues, më 2011, Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve e pat quajtur atë vendim “sulm flagrant kundër gazetarisë së lirë”. Po atë vit, pra më 2011, redaktori përgjegjës i 'Bosnës së Lirë', Senad Avdiç, është shpallur atje 'Gazetar i Vitit'”.
Sa e sa gënjeshtra e përdredhja e fakteve bëhet në statusin e Gërvallës është mendërisht mpirëse, megjithatë disa qëndrojnë si më domethënëse. Gënjen që nuk ua kanë përmendur emrat mediave Nacionale dhe Periskopi, kur “screenshot”-ët e tekstit të RTK janë të shpërndara te deputeti Sali Zyba.
Për ‘kredibilitetin’ e kësaj medie ne qysh atë ditë kontaktuam krye-kontrolluesin e fakteve të mediave në Bosnje-Hercegovinë. Dhe, tabloja e kësaj medie, s’ka se si të jetë më e errët.
“Janë prodhues të mëdhenj manipulimesh...s’do të thoja që janë liderë në prodhim të dezinformimit, por ama liderë në publikim të tyre, po”.
Kështu na tha drejtuesi i platformës më serioze të kontrollimit të fakteve (fact-checker) në Bosnje-Hercegovinë, “Raskrinkavanje”, Darko Brkan, pas publikimit të një teksti skajshmërisht kontraverz në “Slobodna Bosna”.
Kjo platformë më 12 mars të vitit 2020 kishte shkruar arritur në përfundimin që në rajon “Slobodna Bosna”, “Alo”-ja famëkeqe serbe dhe “Originalno”, prijnë për lajme të rreme dhe shënohin nën rubikrun “Flamur i kuq”.
“Prodhojnë dezinformata...gjëra të paverifikuara...për senzacion...përmbajtje të dyshimtë për nga besueshmëria...thjesht çka t’u bjen në dorë për të mbijetuar”, tha ai për Nacionalen pyetur rreth ‘Slobodna Bosna’-s.
“Vlerësimi im do të ishte që ata kryesisht do të kenë artikuj që janë të dyshimta sa i përket besueshmërisë, por më shumë është që duan senzacion duke përdorur burime të pakonfirmuara; dhe kopjojnë burime nga burime tjera, dhe kryesisht publikojnë senzacionalisht për klikime sa më shumë”, ma tha ai.
E pyetëm Brkan-in, se a bëhet që – siç është peizazhi mediatik ballkanas – që ‘Slobodna Bosna’ të ketë pranuar tekst me porosi?
“Kjo është praktikë shumë e zakonshme në mesin e mediave të BeH-së ku marrin gjoja një burim për ta kinse të informuar dhe zakonisht njerëz të ndryshëm montojnë dezinformata të ndryshme. Dhe kjo është gjë krejt e zakontë për çështje të brendshme politike në Bosnje, thashetheme politike ose burime të paverifikuara e hiç kredibile dhe pa kurrëfarë dokumentimi botohen si storje ekskluzive. Shumë e zakonshme kjo këtu të bëhet. Slobodna Bosna nuk përjashtohet, e kanë bërë më herët si shumë media tjera”, na tha ai.
Se një gjë e tillë mund të ketë qenë rasti me qeverinë kosovare, për Brkanin “nuk është aspak befausese”; duke ditur intenzitetin e shpërndarjeve dhe të qëndruarit prapa atij teksti pa hic kurrgjë gazetareske e profesionale – për dëshmi të mos flasim.
“Kjo është edhe mënyra e zakonshme e vendosjes (montimit) dezinformimit. Ne këtu në rajon e kemi parë shpesh, ku aktorë politikë nga një vend, Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovinë, e montojnë një copë informacioni në një vend tjetër dhe e shpërndajnë në vende të tyre...kështu duke e pretenduar pastaj atë lajm si kredibil sepse kur lajmi vjen nga një vend tjetër duket më kredibil se sa ta botosh në vendin tuaj”, vazhdoi ai.
“Slobona Bosna është prodhues i madh i manipulimeve të mediave të ndryshme, nuk do të thoja që është në majen e atyre që prodhojnë copët e tyre të dezinformimit por publikimi i dezinformatave është gjëja e tyre. Por, nuk është se i prodhojnë dezinformatat prej vete. Këtë e ke të sigurt. Nuk janë liderë të prodhimit të dezinformatave, por të publikimit të tyre, po”, përfundoi ai në një përgjigje për Nacionalen.