Pak përplasje, pak ankesa: Vetingu s’bëhet pa Listën Serbe - NACIONALE

Pak përplasje, pak ankesa: Vetingu s’bëhet pa Listën Serbe

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka dështuar votimi i amendamenteve kushtetuese për Vetingun. Kjo pasi për t’u miratuar ato, duhen edhe 2/3 e minoriteteve. Pa Listën Serbe, votimi duket i pamundur. Lista Serbe mungoi në Kuvend, por nuk munguan përplasjet e akuzat pozitë-opozitë.

Në Kuvendin e Kosovës në seancë të veçantë, u mblodhën deputetët. Synimi ishte të diskutoheshin amendamentet kushtetuese për Veting.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se procesi i Vettingut në sistemin e drejtësisë është një ndër reformat më të rëndësishme në vend.

“Një ndër reformat në sistemin e drejtësisë, që ka për qëllim fuqishëm e institucione të drejtësi, kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe më e rëndësishmja pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Ka qenë një nga zotimet tona para qytetarëve dhe për të ardhur deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Jemi ballafaquar me sfida nga më të ndryshme, që ndërlidhen me tendencën e vazhdueshme për të penguar reformën të rëndësishme, kemi qenë këmbëngulës për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës”.

“Gjykata Kushtetuese pas 9 muaj i jep dritën jeshile Vettingut. Nuk është e vetmja reformë që jemi duke e bërë. Reforma tjetër është ajo në Këshillin Prokurorial… Reformat po bëhen në disa nivele dhe jemi në rrugë të mbarë. Vettingu është kushti që sistemi i drejtësisë apo në sistemimin e drejtësisë të kemi gjyqtarë me integritet të lartë, moral por edhe profesional. Vettingu është rruga përmes së cilës mund të sigurohemi që është rruga pa u ndikuar nga as kush, as nga pushtet që vijnë e shkojnë. Ju ftoj që të jemi të unifikuar për këtë reforme”, ka thënë ajo.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se vettingu është proces i pashmangshëm dhe se si grup e kanë mbështetur.

“Asnjëherë si Kuvend nuk duhet të heqim dorë nga ky proces dhe shpresoj që brenda kësaj legjislature të arrijmë ta procedojmë përpara”, tha Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka treguar qëndrimin e partisë për këtë process.

“Në vazhdimësi është parë një tendencë e kapjes së institucioneve nga pushteti. Koncepti i integritetit të cenueshëm është koncept abstrakt dhe mund të keqpërdoret. Ideja dhe propozimi ynë është që të kemi sistem efikas të drejtësisë. Ne kemi propozuar duke parë parasysh elementet problematike dhe duke parë që është problematike të bëhen ndryshime kushtetuese kemi propozuar të bëhet një sistem i monitorimit të performancës së gjyqësorit dhe prokurorisë”, është shprehur Gashi.

Ndërsa, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dhënë përkrahje për Vetingun.

Për 20 vjet ky sistem gjyqësor është ndërtuar nga një sistem profesionist. Mazhoranca mendojnë që gjithçka që është e mirë rrjedh prej kur kanë filluar të qeverisin këta. Mendoj që ka gjyqtarë e prokurorë që marrin vendime ndoshta jo të pranueshme por sistemi ynë nuk e ka përvojën si të rajonit. Por duhet të kemi pushtete te ndara dhe politika duhet të jetë larg gjyqësorit. Ne do t’i përkrahim por ju e dini që duhen dy të tretat e komuniteteve”, ka shtuar ai.

Në seancë, pati edhe përplasje.

Kica Xhelili ka pasur kritika dhe e ka konsideruar Vettingun si një proces të dështuar, duke thënë se është amputuar nga Komisioni i Venecias.

Deputetja e LDK-së ka thënë gjithashtu se ministrja e Drejtësisë në këto procese nuk e ka përkrahjen e ndërkombëtarëve.

Lidhur me komentet e bëra nga deputetja Kica-Xhelili ka replikuar ministrja Haxhiu.

“Tha që s’e keni besimin e partnerëve, apo nuk e keni pasur. Për mua është e rëndësishme që ta kemi besimin e qytetarëve të Kosovës. Ne kemi pasur përkrahjen e qytetarëve për ta bërë Vettingun në sistemin e drejtësisë, për mua kjo është e rëndësishme. Ndërsa me partnerët ndërkombëtar, me shoqërinë civile mund të kemi në vazhdimësi diskutime për t’u përballur me argumente. Partnerët kanë thënë që Kosova s’duhet të ketë Vetting dhe kanë thënë se Kosova duhet të forcojë mekanizmat e brendshëm të vettingut”, ka thënë Haxhiu.

Pasi Lista Serbe nuk ishte në seancë, votimi u shty.

Lajme të ngjashme