Paguhen 275 euro në muaj: “Injorimi” i Osmanit ndaj punëtoreve të Kuvendit që po grevojnë shkakton reagime
Në disa pamje të publikuara të enjten nga Nacionale, presidentja Vjosa Osmani me bashkëshortin e saj Prindon Sadriu dhe pjesëtarë të stafit të presidencës, shihen duke kaluar afër punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës që po grevojnë tash e një kohë të gjatë.
Gazetari i Nacionales që ka qenë prezent në ato momente, ka parë se presidentja i ka përshëndetur nga distance ato me një zë të ulët, por nuk është afruar te punëtoret.
Kjo ka nxitur reagime në rrjete sociale. Së pari, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë “gratë në grevë injorohen nga gratë në krye të shtetit”.

“Realitet paralel: gratë në grevë që injorohen nga gratë n’krye t’shtetit. Presidente, GUXO, edhe ngrite zërin edhe për to!” – ka shkruar deputetja.
Ativistja Teutë Rrusta ka publikuar fotografinë e Nacionales, duke thënë se presidentja Osmani përfaqëson vetëm një pjesë të ngushtë të shoqërisë të lidhur me pushtetin.
Rrusta ka thënë se Osmani nuk u pa as kur u shkelën gazetarë e media, as kur komuniteti serb diskriminohej apo kur sulmoheshin sindikatat.
“Taman puna presidentja me pa kah punëtoret greviste. Siç nuk pa as kur u shkelën gazetarë e media, siç nuk pa as kur kominiteti serb diskriminohej, as kur sindikatat sulmoheshin. Ajo përfaqëson veç një pjesë të ngushtë të shoqërisë, kryesisht të lidhur me pushtetin. Ajo në fakt përfaqëson frymën e kohës. Atë të një oportunizmi të pashoq.” – ka shkruar ajo.
Ndërkaq, aëtarja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka thënë se “kontributi” i presidentes Osmani në çështjet e të drejtave të grave mbetet e kufizuar në fjalime formale, boshe, ndërsa, duke bashkangjitur fotografinë e Nacionales ku Osmani shihet duke i injoruar gratë që po grevojnë në hyrje të Kuvendit.
Ajo shtoi se pavarësisht zgjedhjes së një gruaje presidente në Kosovë, kjo “nuk ka sjellë asnjë përparim të prekshëm në avancimin e të drejtave të tyre.”
Kuçi e cilësoi Osmanin si “shembull të keq të një figure, e cila ndjek oportunizmin në dëm të angazhimit të sinqertë për barazi gjinore.”
“Zgjedhja e një gruaje presidente në Kosovë, ndonëse është përmirësim në përfaqësimin dhe imazhin politik të grave, nuk ka sjellë asnjë përparim të prekshëm në avancimin e të drejtave të tyre. Vjosa është një shembull i keq i një figure politike, e cila ndjek oportunizmin në dëm të angazhimit të sinqertë për barazi gjinore.” – ka shkruar Kuçi.
Punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës prej disa muajsh janë duke bërë grevë dhe askush prej institucioneve nuk është marrë me kërkesat e tyre. Më herët, ato edhe kanë protestuar duke kërkuar rritje të pagës.
Shuma me të cilën paguhen aktualisht këto punëtore, është prej 275 euro në muaj.
"Seancat që zgjasin shpesh e po ashtu edhe mbledhjet e Komisioneve parlamentare që janë thuajse të përditshme, asnjë orë shtesë nuk na paguhet.” – kishte thënë njëra nga to për Nacionalen.