Injorimi i grevës së grave në hyrje të Kuvendit, Kuçi: Osmani ndjek oportunizmin në dëm të angazhimit të sinqertë për barazi gjinore
Anëtarja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka thënë se “kontributi” i presidentes Osmani në çështjet e të drejtave të grave mbetet e kufizuar në fjalime formale, boshe, ndërsa, duke bashkangjitur fotografinë e Nacionales ku Osmani shihet duke i injoruar gratë që po grevojnë në hyrje të Kuvendit,
Ajo shtoi se pavarësisht zgjedhjes së një gruaje presidente në Kosovë, kjo “nuk ka sjellë asnjë përparim të prekshëm në avancimin e të drejtave të tyre.”
Kuçi e cilësoi Osmanin si “shembull të keq të një figure, e cila ndjek oportunizmin në dëm të angazhimit të sinqertë për barazi gjinore.”
Postimi:
“Kontributi” i Vjosa Osmanit në çështjet e të drejtave të grave mbetet i kufizuar në fjalime formale, boshe. Ajo injoroi plotësisht gratë greviste para Kuvendit, duke kaluar pranë tyre pa shfaqur asnjë ndjeshmëri.
Zgjedhja e një gruaje presidente në Kosovë, ndonëse është përmirësim në përfaqësimin dhe imazhin politik të grave, nuk ka sjellë asnjë përparim të prekshëm në avancimin e të drejtave të tyre. Vjosa është një shembull i keq i një figure politike, e cila ndjek oportunizmin në dëm të angazhimit të sinqertë për barazi gjinore.'