'Pa masë përjashtuese' - Zëdhënësi i USAID për Nacionalen rreth pezullimit të fondeve milionëshe amerikane - NACIONALE

'Pa masë përjashtuese' - Zëdhënësi i USAID për Nacionalen rreth pezullimit të fondeve milionëshe amerikane

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Të gjitha programet dhe grantet pa masë përjashtuese nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar janë ndërprerë. Kështu është thënë nga USAID-i në një përgjigje për Nacionalen, kur është pyetur nëse urdhri i ri i presidentit amerikan, Donald Trump, do ta prekë edhe Kosovën.

Gjatë javës së kaluar, me ta marrë detyrën, presidenti Trump dha urdhër për një pauzë 90-ditore për asistencën për zhvillim të jashtëm, duke kërkuar verifikimin e efikastitetin dhe konsistencës së saj me politikën e jashtme.

“Të gjithë udhëheqësit e departamenteve dhe agjencive me përgjegjësi për programet e Shteteve të Bashkuara për asistencë për zhvillim të jashtëm duhet t’i pauzojnë menjëherë detyrimet dhe pagesat e fondeve të asistencës për zhvillim” – thuhej mes tjerash në vendimin e presidentit amerikan.

Duke marrë parasysh ndihmën amerikane ndër vite, në media është raportuar se ky vendim pritet ta prekë edhe Kosovën.

Një zëdhënës i USAID-it i ka thënë Nacionales se janë ndërprerë të gjitha programet dhe grantet që nuk kanë masë përjashtuese.

“Aktualisht, për të bërë një rishikim të plotë, të gjitha programet dhe grantet pa masë përjashtuese të miratuara nga Sekretari i Shtetit, duke përdorur financimin e asistencës së huaj, janë ndërperë.

Sekretari i Shtetit ka miratuar ndihmën humanitare për shpëtimin e jetëve. Zbatuesit e programeve ekzistuese të ndihmës humanitare për shpëtimin e jetëve duhet të vazhdojnë ose të rifillojnë punën” – ka thënë ky zëdhënës.

Para pak ditësh, sekretari i Shtetit, Marco Rubio u dërgoi mesazh ambasadave amerikane në mbarë botën, duke sqaruar zbatimin e këtij urdhri, ku mes tjerash thuhet se “asnjë ndihmë e mëtejshme ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara nuk do të shpërndahet në një mënyrë që nuk është plotësisht e përputhur me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

Mbi 1 miliard dollarë në Kosovë

Në gusht të vitit 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte nënshkruar marrëveshje me USAID-in që oftonte ndihmë për institucionet e Kosovës në vlerë të 34,5 milionë dollarëve.

“Kjo marrëveshje, e cila arrin shumën totale prej 142.6 milionë dollarësh, është rikonfirmim i vizionit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim” deklaronte Osmani atë kohë.

Që nga viti 1999, USAID-i ka investuar mbi një miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës. Siç thuhet në faqen zyrtare, projektet e USAID-it në Kosovë fokusohen në rritje ekonomike, demokraci dhe qeverisje të mirë, me qëllim të arritjes së sigurisë, prosperitetit dhe stabilitetit të qëndrueshëm.

Disa nga fushat në të cilat Agjencia bën përpjekje janë:

  • Rritja ekonomike me qëllim të zhvillimit të sektorit privat në Kosovë dhe modernizimi i ambientit biznesor, rritja e prodhimtarisë vendore dhe e punësimit si parakusht për rritjen afat-shkurtër dhe afat-gjatë të ndërmarrjeve vendore, si dhe zvoglimi i nevojës për importe.
  • Forcimi i sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe demokracisë.
  • Programet e bazuara në komunitet, që kanë rehabilituar dhe ndërtuar infrastrukturën lokale, angazhuar rininë dhe mbështetur ndërmarrjet në zonat minoritare në Kosovë.

Lajme të ngjashme