Pa emra, pa marrëveshje për president: A po shkojmë drejt një krize të re politike? - NACIONALE

Pa emra, pa marrëveshje për president: A po shkojmë drejt një krize të re politike?

2 ditë më parë

nga NACIONALE

E enjtja e 5 marsit është data e fundit kur Kosova mund ta zgjedhë presidentin.

Në të kundërtën, atëherë afati shkelet, dhe çdo zgjedhje e një presidenti pas kësaj date, do të ishte shkelje e Kushtetutës, e si rezultat, zgjedhje të reja.

Megjithatë, pa emra e pa marrëveshje deri më tash, shpresat janë të vogla që deri pasnesër të ketë ndonjë ndryshim.

Madje, këtë e pranoi dje edhe vetë kryeministri Albin Kurti.

“A do të realizohet kjo, nuk e di, por kushtet janë ideale që të kemi edhe tre kandidatë, ndërkohë që aktualisht nuk ka asnjë. Për shkak se mundësitë janë aty, do të vazhdoj të komunikoj, në mënyrë që nesër apo pasnesër të arrijmë te rezultati dhe pastaj te suksesi i zgjedhjes së presidentit. Por, për momentin, nuk mund të them se ka diçka të re, meqenëse në njërën anë nuk kemi figurë konsensuale, ndërkaq në anën tjetër nuk kemi as marrëveshje politike, sidomos pas deklarimit të PDK-së se propozimi duhet të jetë partiak. Kjo e bën çështjen më të ndërlikuar. Pra, nuk po flasim për emra të përveçëm; mbetet që nesër e pasnesër të shohim nëse mund të bëjmë ndonjë hap përpara, sepse, po e ritheksoj, kjo çështje e hapur i ka mundësitë reale dhe aktuale, por varet nëse do të përdoren”, tha ai.

Në anën tjetër, se nuk ka asnjë emër të diskutuar deri më tash, e theksoi edhe Lumir Abdixhiku, duke shtuar se nuk janë kundër Vjosa Osmanit, të paktën aktualisht.

“Në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Vjosa Osmanit. Nuk është kërkuar vota për Vjosa Osmanin, prandaj s’mund të flas”, deklaroi Abdixhiku.

Në anën tjetër, profesori e ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se Vetëvendosje po synon abuzim dhe shkelje të rendit kushtetues.

“Është shenjë e qartë për synimin për abuzim dhe shkelje të rendit kushtetues, siç ka bërë LVV gjatë tërë vitit të kaluar dhe në pjesën dërrmuese të aktivitetit të saj politik. Afati ende nuk është shkelur. Duhet të zgjidhet presidenti! Nuk ka nevojë për shkelje të Kushtetutës së Kosovës përmes riinterpretimeve destruktive, të cilat gjithmonë janë të mundura”, tha Hasani.

“Shkelje dhe abuzim me Kushtetutën është kur partia që ka mundësi të propozojë dy ose më shumë kandidatë, vetëm ose në koalicion me të tjerët, nuk e bën një gjë të tillë. Pa ndodhur kjo rrethanë, nuk mund të dihet nëse deputetët marrin pjesë në votim ose jo. Kuvendi, siç dihet, ka kuorum kur janë të pranishëm 61 deputetë”, tha ai për Nacionalen.

Sipas Hasanit, nëse presidenti zgjedhet pas 5 marsit, është shkelje e Kushtetutës.

“Një zgjedhje e tillë sigurisht që është kundërkushtetuese, sepse bie ndesh drejtpërdrejt me dispozitën e qartë kushtetuese që urdhëron zgjedhjen e presidentit 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual. Megjithatë, nëse një vendim i tillë nuk sfidohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë presidenti i ri, i zgjedhur pas datës 5 mars, e merr detyrën ditën e nesërme kur i skadon mandati zonjës Vjosa Osmani”, tha ai.

Lajme të ngjashme