Pa aleatët që na i humbi Kurti, ministrja serbe tallet me përgjigjen e Kosovës - NACIONALE

Pa aleatët që na i humbi Kurti, ministrja serbe tallet me përgjigjen e Kosovës

1 orë më parë

nga Col Mehmeti

Gjithçka mundi të bënte Kosova ishte ta zezëlistonte ministren serbe, Snezhana Paunoviq, duke ia ndaluar hyrjen në vend. Politikania socialiste tashmë është pjesë e klubit me ‘non grata’ që përbëhet nga njerëz me hije të zeza. Aty ka provokatorë, antishqiptarë, mohues gjenocidi e revidues të historisë, në krye të të cilëve qëndron austriaku serbofil, Peter Handke. Përtej shpalljes së politikanës serbe si e padëshiruar, Kosova zor që mund të bëjë diçka më shumë. Mjafton të çohet ndërmend pozita e vajmedetshme gjeopolitike në rrethanat kur Kurti e ka izoluar vendin dhe shkëputur nga aleatët perëndimorë. NACIONALE sjell edhe një tablo shumë më të gjerë sesa Kosova për deklarime të tilla inflamatore e kërcënuese. Duke e çkapuritur historinë e viteve të fundit në rajon e Evropë, është një klub shtetesh autokratike, si Rusia, Azerbajxhani dhe Turqia, që nuk e kanë gajle të përdorin kërcënime për spastrim etnik ndaj popujve më të dobët ushtarakisht.

15 korrik 2026 – Në pleqërinë e thellë si 83-vjeçar, nobelistit austriak Peter Handke sot mund t’i jetë zhdukur Kosova edhe nga mendja e mjegulluar.

Para gjashtë vitesh, ai u bë pjesë e listës së të padëshiruarve për të hyrë brenda territorit të shtetit tonë.

Si sebep për këtë shërbeu kur Akademia suedeze i taksi atij nderin më të lartë për letërsi.

Tronditja ndërkombëtare qe e pashmangshme kur Handkes iu shpalos ana e errët si mbështetës gjakftohtë i pozicionit të Serbisë në luftrat në ish-Jugosllavi.

Letrari austriak ia kishte shkruar një faqe të zezë vetes kur kishte marrë pjesë në funeralin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Lexo edhe: Handke – non grata në Kosovë, hero për serbët

Ndonëse Handke më fort ishte mpleksur me Bosnjën, ishin institucionet e Republikës së Kosovës ato që ia shqiptuan ‘dënimin’ më të rëndë diplomatik, siç është non grata.

Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri i asobotshëm i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Handke shpallej i padëshiruar “për shkak të mbështetjes që i dha Millosheviqit dhe politikave të tij gjenocidale në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, si dhe mohimit të gjenocidit që e kreu Serbia.”

“Po të isha Millosheviqi...”

Kjo histori e para gjashtë viteve evokohet edhe tani pak ditë pasi ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, la nam me të thënmen e saj solidarizuese për regjimin e Millosheviqit kundrejt shqiptarëve.

Po të isha Sllobodan Millosheviqi, unë do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën më 1998”, ka thënëKurir politikanja 51-vjeçare serbe që është anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë të drejtuar nga Ivica Daçiqi.

Ky i fundit, si shefi i saj, e ka mbrojtur bashkëpartiaken.

Të dy tok kanë pas vete një histori të tërë me kërcënime ndaj shqiptarëve.

Po të ishte bota e thjeshtë siç do Rroni ynë

Megjithëse edhe ajo u bë pjesë e klubit të të padëshiruarve në Kosovë, kjo çështje zor që do të shkojë përtej kësaj.

Veprimtari ynë shumëdimensional, miku ynë i shtrenjtë, Rron Gjinovci, doli me një kalevesh me ide taze se çfarë mund të bëjë guverna e Kosovës.

Por, ky entuziazëm është çastëpakët sapo ndërmendet pozicioni i ligësht diplomatik i Kosovës.

Me masat sanksionuese që mezi u hoqën vjet nga BE-ja dhe me ato të ShBA-së që po e furin vendin, takati diplomatik i Kosovës është pothuajse i hiçtë për të prodhuar reagim të fuqishëm nga aleatët perëndimorë.

Përtej gjendjes gjeopolitike ku bota vëmendjen e ka te dertet e mëdha globale si lufta në Ukrainë e përplasja ShBA-Iran, ka gjasa të vagëta që Serbia të përballet me ndonjë pasojë të prekshme.

Klubi i barabave: Putini

Deklarata të tilla kërcënuese si të ministres serbe janë bërë kryesisht në kampin e shteteve me traditë autoritariste e rekorde të shkeljeve të rregullave ndërkombëtare.

Shkelje të tilla janë bërë në Rusi, Turqi e Azerbajxhan në kontekste të zënkave e përplasjeve me fqinjët e dobët.

Rusia kryeson me gjuhë inflamuese, kërcënuese e ndonjëherë edhe me nënkuptime gjenocidale.

Shembulli më klasik është ‘eseja’ e presidentit rus, Vladimir Putin, pak para se ushtria ruse të fillonte mësymjen e madhe pushtuese ndaj Ukrainës.

E botuar në faqen zyrtaare të Kremlinit, në eseun e quajtur “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve” (Titulli në original: Об историческом единстве русских и украинцев), Putini e mohonte kombin ukrainas, madje vetë Ukrainën.

Sipas mëtimit të tij, ukrainasit, njësoj si bellarusët, ishin rusë.

Duke e demonizuar shtetin ukrainas, Putini përpiqej ta bindte opinionin rus se Ukraina ishte rrezik ekzistencial për Rusinë.

Ndonëse ishte hequr menjëherë nga versioni përfundimtar, në këtë tekst kishte pasur edhe një kërcënim shqeto për përdorim të ushtrisë kundër Ukrainës.

Kundër këtij eseu kishte bërë një reagim të paharrueshëm historiani, Timothy Snyder, sipas të cilit, Putini veçse po i jepte frymë një miti gjenocidal.

Koncepti i Putinit se nuk ka gjuhë ukrainase është i njejtë me idenë e tij se nuk ka shtet ukrainas apo popull ukrainas: është gjenocidal, sepse vetëm vrasjet në masë mund ta bëjnë atë të vërtetë”, kishte shkruar historiani amerikan që vlerësohet si një nga njohësit më të mirë të Bashkimit Sovjetik.

Klubi i barabave: Aliyevi

Me një gjuhë fund-e-krye dehumanizuese, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev në vjeshtën e 2020-s kishte shpërthyer kundër armenëve duke i quajtur ‘qenë’.

Onları iti qovan kimi qovmuşuq!” (Ne i përzumë si qentë), kishte thënë lideri autoritar në gjuhën azere, deklaratë e cila sot e gjithë ditën është e dokumentuar me video dhe me transkriptet presidenciale.

Gjatë një bashkëbisedimi sy me sy, kjo shprehje përçmuese i ishte përmendur presidentit azer nga gazetarja e BBC-së, Orla Guerin, e cila i tha se “kjo lloj deklarate zor që mund t’i bëjë njerëzit të ndjehen të sigurt”.

Kjo çështje nuk ishte lënë me kaq pasi Armenia me një ekip juristësh ndërkombëtarë e kishte përgatitur një alamet dosje që u paraqit para Gykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Klubi i barabave: Erdoğani

Në këso shpërthimi të egër ishte ndërsyer edhe kreu i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Më 2014, gjatë një interviste për televizionin turk NTV, ish-kryeministri dhe kreu i AKP-së e kishte bërë një deklarim me nuanca kërcënuese ndaj armenëve që jetojnë në Turqi.

Sot janë 100 mijë armenë në vendin tim. Rreth gjysma janë shtetas të mi. Gjysma tjetër nuk janë shtetas. Ne e tolerojmë praninë e tyre në këtë vend. Po qe nevoja, unë mund t’iu them këtyre 100 mijëve të ikin prapa në vendin e tyre”, kishte thënë asokohe Erdogani, deklaratë që më pas kishte sjellë një ortek reagimesh.

E fshikulluar gjithandej si gjuhë inflamatore, njeriu i fuqishëm i Turqisë edhe më 2022 kishte gjuajtur komente në kurriz të fqinjëve të tij perëndimorë.

Në kohën kur Turqia e Greqia u përfshinë në një krizë marrëdhëniesh e tensioni për ishujt në Egje, Erdoğan, ndër të tjerash, kërcënoi në turqisht se “Bir gece ansızın gelebiliriz” (Ne mund të kthehemi brenda natës).

Kjo bela më pas u përcoll me një luftë diplomatike të llojit hidh-e-prit.

Pas reagimit të kryeministrit grek, pasoi edhe ai nga Bashkimi Evropian në kuadër të përpjekjeve për t’i qetësuar dy vendet që janë njësoj pjesë e NATO-s dhe fqinj mes vete.

Historia e padëshiruarve në Kosovë

Më 2013, të shumtë qenë zërat, sidomos nga bota e artit, që kërkuan që Kosova ta shpallte non grata edhe regjisorin kundërthënës serb, Emir Kusturica.

Ky i fundit asobote e kishte bërë të njohur synimin e tij se do të xhironte një film me temë mbi trafikimin e organeve njerëzore që ua atribuonte shqiptarëve të Kosovës.

Megjithëse Kosturica nuk ishte shpallur i padëshiruar, lista tashpërtash që është në MPJ përbëhet kryesisht nga emra zyrtarësh, politikanësh e ushtarakësh serbë.

Në krye të listës së të padëshiruarve është emri i politikanit ultranacionalist serb, Vojislav Sheshel, ish-gjeneralit të Armatës serbe, Lubisha Dikoviq, ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin dhe ai i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq.

Në maj të 2019-s, lista ishte përditësuar edhe me emrat e ish-kryeministres serbe, Ana Brnabiq dhe shtetasit rus, Mikhail Krasnoshchenkov, punonjës i UNMIK-ut që ishte arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë aksionit kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në veri të vendit. /Nacionale/

Lajme të ngjashme