Presidentja Osmani duket se i del kundër Kurtit për Klan Kosovën: Liria e mediave e drejtë themelore, të mos ketë ndërhyrje
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një reagimi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës duket se i ka dalë kundër Qeverisë Kurti e cila vendosi për mbylljen e mediumit “Klan Kosova”, duke mos ia pranuar ankesën për pezullimin e certifikatës. Në reagimin e presidentes Vjosa Osmani, ftohet politika që t’i mbajë duartë larg nga sqarimi i rastit përmes sistemit të drejtësisë.
Përmes një deklarate për media, Presidenca ka thënë se liria e mediave duhet të vlerësohet e të mbrohet.
“Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social.” – thuhet tutje.
Tutje, presidenca ka deklaruar se promovimi i lirisë së medias dhe mbështetja ligjore e lirisë së fjalë, janë parime të shoqërisë që mbrohen nga Kushtetuta.
“Promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë.”
Në fund, sipas presidentes Osmani, çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së “Klan Kosovës” duhet të sqarohet dhe se pret që kjo të bëhet duke u zbatuar ligji e pa ndërhyrje.
“Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Presidentja e Republikës pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit.” – thuhet në fund.
Reagon edhe QUINT-i
Ndërkohë, pak më herët shtetet aleate të Kosovës kanë shprehur shqetësimin e thellë për këtë vendim.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë shprehin shqetësimin e tyre të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës.” – thuhet në reagim.
Tutje, shtetet e QUINT-it dhe BE-ja kanë deklaruar se ky është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së çdo media është një hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe e informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike.” – u bë e ditur tutje.
Në fund, QUINT-i ka kërkuar një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e kësaj situate.
Pasdites e së premten përmes një një komunikate për media, ani pse s’e publikoi dokumentin e vendimit, MINT njoftoi se është refuzuar ankesa e mediumit rreth vendimit për pezullimin certifikatës së biznesit.
“Me këtë rast, rikujtojmë se në bazë të gjetjeve të parregullsive ndër vite dhe dyshimeve serioze, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj. Me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit të Republikës së Kosovës.” – bëhej e ditur mes tjerash.
Klan Kosova përmes një raportimi më pas, ka njoftuar se i ka të gjitha dokumentet që dëshmojnë se pronari i kompanisë e ka regjistruar në komunën e Gjakovës të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Klan Kosova bëri do të ankohet në gjykatën kompetente rreth rastit.
