QUINT-i del me reagim ndaj Qeverisë për Klan Kosovën: Vendim që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik
Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë dalë me një reagim pas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për të mos ia pranuar ankesën e mediumit “Klan Kosova” për pezullimin e licensës së biznesit.
Në këtë deklaratë, shtetet aleate të Kosovës kanë shprehur shqetësimin e thellë për këtë vendim.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë shprehin shqetësimin e tyre të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës.” – thuhet në reagim.
Tutje, shtetet e QUINT-it dhe BE-ja kanë deklaruar se ky është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së çdo media është një hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe e informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike.” – u bë e ditur tutje.
Në fund, QUINT-i ka kërkuar një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e kësaj situate.
Vendimi
Pasditen e së premten përmes një një komunikate për media, ani pse s’e publikoi dokumentin e vendimit, MINT njoftoi se është refuzuar ankesa e mediumit rreth vendimit për pezullimin certifikatës së biznesit.
“Me këtë rast, rikujtojmë se në bazë të gjetjeve të parregullsive ndër vite dhe dyshimeve serioze, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj. Me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit të Republikës së Kosovës.” – bëhej e ditur mes tjerash.
Klan Kosova përmes një raportimi më pas, ka njoftuar se i ka të gjitha dokumentet që dëshmojnë se pronari i kompanisë e ka regjistruar në komunën e Gjakovës të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Klan Kosova bëri do të ankohet në gjykatën kompetente rreth rastit.
Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë shprehur të tronditur pas vendimin të Qeverisë për Klan Kosovën duke konsideruar se prej përfundimit të luftës, kjo është hera e parë që po tenton të mbyllet një medium.
“Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e Qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.” – thuhej në reagim.
Reagime rreth këtij zhvillimi menjëherë ka pasur edhe nga opozita, ku kreu i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh se është vendim i papranueshëm, i rrezikshëm e i paligjshëm.
“Kjo Qeveri e ka humbur rrugën! Nga panika, çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme dhe me tendenca diktatoriale. Prandaj, sot, jemi të gjithë të bashkuar kundër këtij vendimi autoritar dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë.” – ka thënë ai.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ky është sulm i paranojës ndaj demokracisë.
“Në këtë betejë, të paprecedentë, nuk është vetëm një televizion. Janë të gjitha mediat, gazetarët e promovuesit e fjalës së lirë. Jemi të gjithë, individualisht e kolektivisht. Prandaj dhe në këtë përballje do të jemi bashkë të gjithë.” – ka shkruar tutje ai.
Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka ftuar kryeministrin Kurti që të heq dorë nga ky vendim, që siç e quajti ai, është “i çmendur”.
“Nuk mbulohet dielli me shoshë o Albin Kurti. Nuk mbyllen mediat në një vend evropian! Nuk jemi Kore e Veriut! Prandaj hiq dorë nga ky vendim i çmendur e lëre Klan Kosovën ta kryejë punën e vet! Dil kërkoju falje popullit e gazetarëve të Klan Kosovës e ruaje pak fytyrë." - ka shkruar ai.

