Osmani në Samitin e Paqes: 25 vjet më parë na shpëtuat, fëmijët ukrainas meritojnë të njëjtin shans - NACIONALE

Osmani në Samitin e Paqes: 25 vjet më parë na shpëtuat, fëmijët ukrainas meritojnë të njëjtin shans

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë fjalimit të saj në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani bëri thirrje të forta për solidaritet dhe angazhim të fuqishëm ndërkombëtar në përgjigje të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë. Ajo theksoi rëndësinë kritike që komuniteti global të njohë situatën e rëndë të Ukrainës me të njëjtën urgjencë që tregoi në luftën në Kosovë 25 vjet më parë.

“Që nga shkurti i 2022-ës bota ka parë një agresion që jo vetëm kërcënon sovranitetin e një kombi, por edhe shpirtin e Evropës”, tha ajo më tej.

Osmani ka thënë se agresioni i Rusisë u ka kujtuar të gjithëve në Kosovë vuajtjen e tmerrshme që sjell lufta dhe radhën e tyre për të ndihmuar.

“Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës u ka kujtuar të gjithëve në vendin tim dy gjëra, e para vuajtjen e tmerrshme që lufta sjell, dhe e dyta që tani është radha jonë që të dhurojmë”, tha Osmani.

Osmani vlerësoi vendosmërinë e shtetit ukrainas duke shtuar se "kanë ngritur shpresën që asnjë tirani nuk do të mund ta thyejë”.

“Ukraina do të mbizotërojë. Njerëzit e Ukrainës kanë ngritur shpresën që asnjë tirani nuk do të mund ta thyejë”, tha Osmani.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt liderëve botërorë në Samit, Osmani theksoi rëndësinë e përkushtimit për ta ndihmuar shtetin ukrainas përball invazionit të paprovokuar rus.

“Dua të theksoj se ky moment kërkon që ne të jemi të sigurt që angazhimi ynë të matet jo me ditë apo muaj, por në qëndrueshmërinë e mbështetjes sonë deri në kthimin e sovranitetit të Ukrainës”, tha ajo.

Osmani ka rrëfyer edhe përvojat e saj të fëmijërisë gjatë luftës, duke i bërë thirrje botës që të mos mbyllë sytë para vuajtjeve të popullit ukrainas, si dikur me Kosovën.

“25 vjet më parë, isha një fëmijë i luftës i dëbuar nga shtëpia i fshehur nga bombardimet e agresorit në male dhe mbajta një radio të vogël në dorë për të dëgjuar së bashku me shumë fëmijë të tjerë udhëheqësit e mi si ju", tha Osmani.

“Ju erdhët për të na shpëtuar, vendi juaj nuk i mbylli sytë para vuajtjeve tona. Ju erdhët për t'na shpëtuar dhe më dhatë një shans të kthehem tani pas 25 vitesh dhe t'ju falënderoj që u bëtë shpëtimtari ynë. Uroj që ju t'u jepni të njëjtin shans fëmijëve të Ukrainës”, tha presidentja.

Lajme të ngjashme