E konfirmuar: Osmani i mbledh partitë politike në orën 14:30, diskutojnë për zgjedhjet në veri
Lajm i përditësuar:
Tashmë raportimi i gazetës Nacionale është konfirmuar nga vetë Presidenca e Kosovës. Në një njoftim për media, Presidenca e Kosovës e ka konfirmuar raportimin e Nacionales, duke treguar se Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, do t'i takojë sot liderët e partive parlamentare.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim sot në orën 14:30, partitë politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan”, thuhet në njoftimin e Presidencës, që ka treguar agjendën e Osmanit.
Çka raporti Nacionale?
Presidentja Vjosa Osmani pritet t’i mbledh sot liderët e partive politike. Sipas burimeve të gazetës Nacionale, takimi do të fillojë rreth orës 14:30, e ku tema boshtore do të jetë situata në veri, më saktësisht mundësia e shtyerjes së zgjedhjeve të 18 dhjetorit. Sipas burimeve, ftesat për këtë takim janë dërguar mbrëmë tek partitë parlamentare.
Sipas burimeve, pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar për pjesëmarrje nga PDK dhe AAK. Natyrisht, aty pritet të shkojë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka një marrëdhënie më të afërt me Osmanin.
Në takim, vazhdojnë burimet, pritet të shkojë edhe Aleksandër Jabllanoviq, politikan serb, i cili raportohet të ketë konfirmuar pjesëmarrjen.
Ky takim vjen pas tensionimit të situatës në veri dhe kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyerjen e zgjedhjeve të 18 dhejtorit. Për çështjen e zgjedhjeve në veri, Osmani kishte folur dy ditë më parë, duke theksuar se gjithçka do të vendoset brenda 2-3 ditëve.
Ani pse zonja Osmani e pranoi që shtyerja e zgjedhjeve nuk rregullohet shprehimisht me ligj, ajo deklaroi se nëse ka një kërkesë për shtyerjen e zgjedhjeve, e njëjta do ta bëjë vlerësimin e saj.
“Dhe në rastet kur shprehimisht nuk përcaktohet me ligj një e drejtë e tillë, atëherë duhet që me partitë politike të ketë koncensus. Nëse një kërkesë e tillë vjen, natyrisht që unë do ta bëjë vlerësimin tim. Kështu është procedura dhe besoj që në dy-tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohen. Kjo është një shtytje e Vuciqit që vazhdon ti financojë e mbështesë struktura e bandat kriminale që po terrorizojnë qytetarët në veri dhe në të njëjtën kohë po tentojnë që t’i sfidojnë institucionet e sigurisë.” – deklaroi dy ditë më parë Osmani.
Kujtojmë që Osmani nuk është deklaruar më për zgjedhjet në veri, ani pse në një postim në Facebook ajo reagoi kundrejt kërcënimeve serbe me rikthimin e ushtrisë së Serbisë në Kosovë.
Ndryshe, dje Komisioni Qendror Zgjedhor nuk rekomandoi shtyerjen e zgjedhjeve në veri.
Në një prononcim për Nacionalen, Arjanit Elshani, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, deklaroi se nuk ka rekomandim për shtyerjen e zgjedhjeve.
"U vendos që KQZ-ja nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve", tha Elshani dje.
Kërkesa për shtyerje
Ambasada e ShBA-së tashmë ka ditë që ka kërkuar shtyerjen e zgjedhjeve në veri. Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe Derek Chollet, këshilltar në DASH.
E Departamenti i Shtetit përsëri e theksoi qëndrimin e ShBA-së, duke lëshuar një komunikatë për zgjedhjet në veri.
“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”, tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t'i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet.”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i DASH-it sipas Zërit të Amerikës.
Dje, kryeministri Albin Kurti mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku foli për zgjedhjet në veri dhe situatën e sigurisë atje. Ai tha se janë në komunikim me faktorët ndërkombëtar, por se ambasadorën nuk mund të bëhen ministra të tij.
“Vazhdimisht jemi në konsulta dhe koordinim me ndërkombëtaret. Por ju duhet ta kuptoni se edhe ata presin që në të jemi në nivel të detyrës. Janë ambasadorët e vendeve të QUINT-it, por ata nuk bëhet dot ministra. Ministrat janë qyetarë të këtij vendit.” – deklaroi Kurti.
Kujtojmë që deri tani ka pasur një seri shpërthimesh në veri të bombave të shokut, ndërsa një polic është plagosur në krahror, e që pas intervenimit në QKUK, gjendja e tij shëndetësore është stabile.


