Osmani jashtë ‘orbitës jo-amerikane’ të Kurtit, si po e qorton në nën-tekst presidentja kryeministrin? - NACIONALE

Osmani jashtë ‘orbitës jo-amerikane’ të Kurtit, si po e qorton në nën-tekst presidentja kryeministrin?

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Çka për tri vite ishte “në dukje dy, përbrenda një” mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tashmë veçse ka nisur të manifesohet në dy traka.

Traka e Kurtit në ndjekjen e kursit në kuptimin e sovranitetit rigjid pavarësisht gjithçkaje dhe traka e Osmanit e sovranitetit racional krahas aleatëve rreth çështjeve, në veçanti të sigurisë, në zonat veriore të Kosovës.

E këto traka – në metodologji ndryshe, në objektiv të njëjtë – kanë ekspozuar në dritë të diellit edhe një ‘çarje’ mes Kurtit dhe Osmanit; të vërejtshëm edhe për vëzghuesin më të painteresuar në çështje politike.

E fundit, për çështjen e dinarit – por, me rrënjë së paku tetë muajshe të gjatë, ose së paku tetë muajshe të gjatë në leximin publik të saj.

Për se është fjala?

Përderisa Kurti e kishte kondensuar krejt kursin e tij në moton e thjeshtë “sundim i ligjit” në një zbatim thuajse mekanik dhe me konsideratë zero për çështjet e sigurisë në fund të majit të vitit të kaluar, Osmani kishte përbrendësuar në plotni brengat ndërkombëtare, në veçanti ato amerikane.

Kurti – që e merrrte për naiv Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken – deklaronte në “Politico: EU Confidential” që Kosova, duke qenë vend sovran dhe i pavarur, bën çka bën në funksion të kësaj, dhe se alarmet amerikane janë “reagime të tepëruara” dhe se kjo gjë “nuk ka të bëjë gjë me ShBA-në”.

Kurti ishte hequr nga ekuacioni prej amerikanëve – dhe sanksionuar me përjashtim të FSK-së nga Defender 2023, si dhe takime të larta zyrtare në ShBA – dhe kanal komunikimi ishte shndërruar Osmani; e cila edhe ishte ftuar në takim me Emmanuel Macron, Olaf Scholz, Josep Borrell, Miroslav Lajçak dhe Aleksandar Vuçiq.

Përmes saj provohej të gjendje zgjidhje, ngase Kurti, siç shprehej Zëvendës Ndihmës Sekreati amerikan i Shtetit, kishte “hedhur poshtë” kërkesat amerikane dhe evropiane.

Vetëm muaj më vonë publiku do ta kuptonte se çfarë po ngjante në prapaskena atëbotë; dhe kjo, nga vetë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tregoi se “kam punuar nga 24 orë që të parandaloj sanksione shumë më të rrepta ndaj individëve dhe shtetit” në atë kohë.

Fjala është për kënd: për Kurtin sigurisht.

Pyetur nga gazetari i RTV21 në atë intervistë se a keni fjalën për Kurtin (?) Osmani do të përgjigjej se “nuk dua të flas me emra individësh” duke mos e mohuar fare.

“Jam angazhuar që nga ajo ditë (26 maji)”, tha Vjosa Osmani, “që të parandaloj shumë masa më të rrepta; partnerët tonë i dinë shumë mirë çfarë masa kanë qenë të planifikuara dhe sa biseda i kemi bërë çdo ditë e çdo natë”.

“Nga 24 orë kam punuar që të parandalohen masa shumë më të ashpra edhe ndaj shtetit tonë edhe ndaj individëve”.

Asokohe madje Euronews shkruante me burime ndërkombëtare se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla mund të përfundonin madje edhe të sanksionuar rëndë në kohën kur Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, i kishte quajtur “masa të dhunshme” veprimet e qeverisë kosovare; dhe për më tepër Kurti ia kishte vënë në pikëpyetje gjykimin e shëndoshë Blinken-it duke e quajtur "naiv".

“Po flas për përpjekje të mia. Kam punuar me ambasadorë këtu, me Departamentin amerikan të Shtetit...në mënyrë që të parandalohen masa shumë më të ashpra në raport me Kosovën, dhe këtë e kemi arritur”, tha Osmani gjatë intervistës duke folur për atë kohë.

“Edhe pasi ka ndodhur me 26 maj, insistimi im ka qenë që ta gjejmë një rrugë para, i cili merr për bazë sigurinë afatgjatë, dhe siguria afatgjate arrihet vetëm duke bashkëpunuar për së afërmi me partnerët tonë. Instistimi im ka qenë për gjuhë të përbashkët”, tregoi Osmani.

Këtu Osmani artikulontew kursin krejt tjetër që kishte mbajtur nga Qeveria e Kosovës.

Të njëjtën gjë, Osmani e ka bërë edhe kohëve të fundit kur qeveria e Albin Kurtit ka arritur të shkaktojë plasaritje të thellë marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – më shunë për shkak të etikës së zbatimit, se sa vetë vendimin – rreth çështjes së dinarit.

Vetë Jim O’Brien, Asistent Sekretari amerikan i Shtetit, njoftoi në frustrim të madh se Qeveria e Kosovës po vepron në mospartneritet të thellë me ShBA-në dhe se e njëjta, po qe se kështu vijojnë qëndrimet, do të reciprokohet: në mospartneritet të ndërsjelllë.

Këtu Osmani është shprehur edhe mëse e brengosur.

Dy ditë më parë pas konferencës rajonale, “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, Osmani ka thënë se kjo temë nuk është dashur të jetë shkak për një përplasjes të re të Kosovës me aleatët.

“Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, nuk është dashur të bëhej çështje fare. Unë jam e bindur se nëse ka vullnet me një takim, i cili mund të zgjasë disa orë, mund të ulen të gjitha institucionet relevante dhe të dalin me hapa konkretë duke u bazuar në ligje dhe të marrim edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj. Siç e dini, nëse kjo çështje nuk zgjidhet me kohë mund të krijohen probleme të mëtejme”, ka thënë dje Osmani.

“Unë i inkurajoj të gjitha institucionet e secilin që merret me politikë të bëjë çmos që këto relacione dhe në veçanti me ShBA-në, Mbretërinë Bashkuar dhe vendet e BE-së t’i konsiderojmë jo vetëm si të rëndësishme, por ekzistenciale. Në këto sfida na duhen aleatët tanë, na duhen partnerët tanë. Jo vetëm si shenjë falënderimi që e kanë bërë në të kaluarën, por edhe si vizion për atë çka na duhet në të ardhmen. Kosova nuk mundet të ecë përpara vetë”, ka thënë Osmani.

Lajme të ngjashme