A e ka për Kurtin dhe Sveçlën? Osmani thotë se pas 26 majit “parandalova sanksione të rrepta ndaj individëve dhe shtetit” - NACIONALE

A e ka për Kurtin dhe Sveçlën? Osmani thotë se pas 26 majit “parandalova sanksione të rrepta ndaj individëve dhe shtetit”

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Kam punuar nga 24 orë...që të parandaloj sanksione shumë më të rrepta ndaj shtetit tonë dhe individëve”.

Këto fjalë i tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për sanksionet amerikano-evropiane që rënduan mbi Kosovën si pasojë e instalimit me njësi speciale të kryetarëve shqiptarë në veri në katër godinat komunale pas 26 majit të këtij viti.

Këtu, Osmani, u përgjigj se “nuk dua të flas në emra individësh” kur u pyet nga gazetari i RTV21 në “Click” se “a e keni fjalën për Kurtin?”.

Por ama, tha Osmani, në plan kishte sanksione “më të rënda” se sa ato që u aplikuan – prej përjashtimit nga “Defender 2023” nga Uashingtoni dhe mëpastaj masat ekonomike dhe ndalesat e vizitave të qeveritarëve jashtë vendit në takime të larta politike nga Brukseli.

Osmani, e vetmja me të cilën nga fundi i majit komunikonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës – pasi që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i flakte tutje në tërësi kërkesat dhe sugjerimet e tyre – për herë të parë foli se çfarë në fakt po ngjante ato kohë dhe si ishte disponimi ndërkombëtar.

Jam angazhuar që nga ajo ditë (26 maji)”, tha Vjosa Osmani, “që të parandaloj shumë masa më të rrepta; partnerët tonë i dinë shumë mirë çfarë masa kanë qenë të planifikuara dhe sa biseda i kemi bërë çdo ditë e çdo natë”.

Nga 24 orë kam punuar që të parandalohen masa shumë më të ashpra edhe ndaj shtetit tonë edhe ndaj individëve”.

Kujtojmë se atë kohë madje Euronews shkruante me burime ndërkombëtare se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla mund të përfundonin madje edhe të sanksionuar rëndë në kohën kur Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, i kishte quajtur “masa të dhunshme” veprimet e qeverisë kosovare; dhe për më tepër Kurti ia kishte vënë në pikëpyetje gjykimin e shëndoshë Blinken-it duke e quajtur "naiv".

Po flas për përpjekje të mia. Kam punuar me ambasadorë këtu, me Departamentin amerikan të Shtetit...në mënyrë që të parandalohen masa shumë më të ashpra në raport me Kosovën, dhe këtë e kemi arritur”, tha Osmani gjatë intervistës duke folur për atë kohë.

Nuk ka pasur kërkesë te unë nga bashkësia ndërkombëtare që të shtyhet çështja e kryetarëve. Dhe si Presidente nuk kam qenë e involvuar në atë vendim. Në fakt, edhe pasi ka ndodhur me 26 maj, insistimi im ka qenë që ta gjejmë një rrugë para, i cili merr për bazë sigurinë afatgjatë, dhe siguria afatgjate arrihet vetëm duke bashkëpunuar për së afërmi me partnerët tonë. Instistimi im ka qenë për gjuhë të përbashkët”, tregoi Osmani.

Osmani la të kuptojë se nuk e ka miratuar kursin e ndjekur në veri të asaj kohe, e cila megithëse thotë se veprimet kanë qenë “në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet” por jo edhe të koordinuara me partnerët e sigurisë.

Duke folur për draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe të sjellur në fund të tetorit nga pesëshja euro-amerikane, Osmani tha se i ka “disa shqetësime” e në veçanti në dy fusha, më e theksueshmja ajo e arbitrazhit.

E kam analizuar draftin, kam disa shqetësime sa i përket disa temave që janë përfshirë në këtë draft. Është shqetësues, kurdo që të vijë momenti i dakordimit një draft i tillë të dërgohet në Gjykatë Kushtetues, duke u bazuar në vlerësimin e 2015 dhe Kushtetutës”.

Ka shqetësime rreth kompetencave të këtij Asociacioni dhe ka shqetësime sa i përket asaj që në anglisht quhet judicial and constitutional review (lexo: Arbitrazhin), mënyrës se si do të vlerësohen vendime e këtij Asociacioni pasi të formohet në një situatë hipotetike. Por, jam e bindur që GJK do të sqarojë që në praktikë të eliminohen në këto dykyptimësi”, ka thënë Vjoas Osmani.

Për Osmanin drafti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, të jetë në linjë me Op/Ed-in e botuar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar në janar të 2023 dhe Letrën e Federica Mogherinit që parasheh jo kompetenca ekzekutive dhe jo nivel të ndërmjetmë të pushtetit.

Lajme të ngjashme