Osmani e rinis idenë e Thaçit: A do të ketë sukses Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin? - NACIONALE

Osmani e rinis idenë e Thaçit: A do të ketë sukses Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin?

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Dje u kuptua që presidenta e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka ripërtërirë Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, që ishte “themeluar” nga ish-presidenti Hashim Thaçi, si nismë për t’u përballur me të kaluarën. Sidoqoftë, a do të ketë sukses një nismë e tillë e presidentes Osmani, tash kur i kanë mbetur edhe 2 vjet në funksionin e shefes së shtetit, është një pyetje legjitime.

Albinot Maloku, politolog dhe njohës i mirë i drejtësisë tranzicionale, thotë se komisione të tilla kanë qenë “historikisht…të nevojshme” në vendet që kanë përjetuar luftëra civile apo padrejtësi brenda një sistemi tiranik. Megjithatë, Maloku vlerëson se suksesi i komisioneve të së vërtetës dhe pajtimit ishte “i kufizuar, për të mos thënë i dështuar”.

Ndërsa, tentimet për të themeluar Komisione të së Vërtetës dhe Pajtimit në luftërat e ndodhura në hapësirën e ish-Jugosllavisë, deri tani kanë dështuar. Dështimi ka qenë i ditur nga se Komisionet e së Vërtetës dhe Pajtimit nuk janë iniciuar sinqerisht e me pendim nga agresori e dhunuesi, që ka qenë njësia federative e SFRJ, Serbia. Të dhunuarat, Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina e Kosova e kanë pasur vullnetin e angazhimit, por fuqinë e efektit gati zero” – tha Maloku, në një përgjigje relativisht të gjatë për Nacionalen.

Avokati Amer Alija e cilësoi idenë e presidentes Osmani të qëlluar, teksa tregoi hapat që kjo ide të materializohet në mënyrë të duhur dhe të sukseshme.

Krijimi i një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin pas një lufte është shpesh një ide e qëlluar, por suksesi i tij varet nga disa faktor të rëndësishëm. Ky komision është dashur të ketë për qëllim që të dokumentoj dhe të bëjë publike të gjitha shkeljet dhe abuzimet që kanë ndodhur gjatë luftës, duke u dhënë zë viktimave dhe duke kërkuar llogaridhënie nga ata që janë përgjegjës.

Megjithatë për të qenë efektiv ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës, i pavarur dhe të ketë mbështetje të gjerë nga të gjitha palët e përfshira në konflikt. Nëse komisioni shihet si i një anshëm ose nuk përmbush pritshmëritë e drejtësisë dhe transparencës, ai mund të rrisë mosbesim” – tha Alija për Nacionalen.

Ndërsa Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, theksoi se themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimit është “obligim” i ndërlidhur me dialogun.

“Është obligim që Kosova e ka marrë, lidhet me dialogun dhe rrugën që dëshiron me dërgu përpara Kosova” – tha shkurtimisht Miftaraj për Nacionalen.

Sipas politologut Maloku, komisionet e pajtimit nuk themelohen në mënyrë të njëanshme. Për më shumë, Maloku ka vlerësuar se të tilla komisione themelohen ose inicohen nga “agresori duke kërkuar falje e shpreh vullnetin, që me sinqeritet të punohej në pajtim”.

Në përgjigjen e tij për Nacionalen, Maloku tha se nisma e Osmanit do ta ketë fatin e njëjtë sikurse iniciativa e ish-presidentit Thaçi.

“Edhe iniciativa e presidentes Osmani-Sadriu, për të themeluar atë Komision, do ta ketë fatin e njëjtë siç e kishte iniciativa e ish-presidentit Thaçi. Nëse sinqerisht e ka vullnetin presidentja e Kosovës, ka me bollëk punë, të angazhohet për fatin e të pagjeturve dhe ofrimin e angazhimit të saj, në efikasitetin e punës së Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë” – tha ai.

Sjellim ndër mend që në një përgjigje për BIRN-in, Bekim Kupina, zëdhënës i Presidencës së Kosovës, ka treguar se akti do t'i përkufizojë mandatin, detyrat dhe përgjegjësitë e këtij komisioni.

Ekipi ligjor i presidentes po drafton aktin që do të përkufizojë mandatin, detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit Presidencial për të Vërtetën dhe Pajtimin, si dhe emrin e tij të plotë, që do të ndërlidhet me mandatin e trasuar në Strategjinë e Drejtësisë Transicionale” - ka deklaruar për BIRN-in zëdhënësi i presidentes, Bekim Kupina.

Vite më parë, ish-presidenti Thaçi ishte munduar që ta funksionalizonte nismën e tij për një komision të së vërtetës dhe pajtimit, duke formuar një ekip përgatitor për t'i hartuar aktet e nevojshme. Megjithatë, puna ishte ndërprerë në gjysmë, pasi Thaçi ishte arrestuar në vitin 2020 nga Gjykata Speciale nën akuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjykim që po vazhdon ende.

Lajme të ngjashme