Opozitarizëm shterp, PDK-ja dhe LDK-ja sytë nga Gjykata Kushtetuese - NACIONALE

Opozitarizëm shterp, PDK-ja dhe LDK-ja sytë nga Gjykata Kushtetuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Viti 2022 nuk ishte shumë i lavdishëm për opozitën parlamentare në vend. Kotësia, lodhja dhe mungesa e kreativiteti e ka karakterizuar aktivitetin opozitar viti që e lamë pas. Mungesa e numrave në kuvend bëri që shumë iniciativa të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së të dështojnë. Tri partitë opozitare kanë vazhduar kritikat ndaj qeverisë brenda dhe jashtë Kuvendit, por kritikat e tyre nuk kanë pasur ndonjë ndikim.

Pavarësisht mungesës se numrave, subjektet opozitare nuk arritën ta impononin vetën në opinion për shumë çështje.

Një nga rastet e rralla që opozita është treguar e suksesshme ka qenë themelimi i komisionit hetimor për energjinë, i cili synon hetimin e të gjitha masave të ndërmarra gjatë periudhës së gjendjes emergjente për energjinë, që Kuvendi kishte të shpallur në vitin 2020.

Megjithatë, një gjë e tillë ishte bërë e mundur vetëm pasi opozita kishte përkrahur propozimin e LV-së për themelimin e një komisioni të dytë hetimore për këtë çështje, i cili kërkon që të hetohen aktivitetet në sektorin e energjisë në periudhën kohore 2006-2022.

Gjatë vitit që lamë pas, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja ka ndërmarr edhe disa iniciativa tjera parlamentare, por të cilat nuk kanë pasur sukses.

Për shkak të kundërshtimit të pushtetit, deputetët e opozitës nuk kishin mundur ta kalonin as projektligjin, i cili do të ua mundësonte qytetarëve tërheqjen e një pjesë të mjeteve nga trusti.

Fatin e njëjtë e kishin edhe dy projektligje tjera për sektorin e shëndetësisë, të cilat nuk u përkrahen nga deputetët e partisë në pushtet.

Sytë kah Gjykata Kushtetuese

Në mungesë të numrave për t`i ndryshuar shumë prej projektligjeve të Qeverisë, partitë opozitare si shpresë e kanë parë Gjykatën Kushtetuese.

Deri me tani PDK-ja dhe LDK-ja disa ligje i kanë dërguar për shqyrtim në Kushtetuese. Duke argumentuar se ato shkelin të drejta të caktuara të qytetarëve dhe zyrtarëve shtetëror, këto subjekte kanë kërkuar që të anulohen ato.

Ligjin e fundit që këto parti e kanë dërguar në Kushtetuese është ai për Zyrtarët Publikë.

Derisa në mënyrë të ndarë këto parti dorëzuan këtë ligj në Kushtetuese, PDK dhe LDK kanë vlerësuar se përmes këtij ligji partia në pushtet po synon ta kap administratën publike.

Dy partitë opozitare kishin paralajmëruar se do a dërgoni për shqyrtim në Kushtetuese edhe Ligjin për Pagat, por në fund janë tërhequr.

Gjithashtu, këto dy parti ndaras kanë dërguar në Kushtetuese edhe Ligjin për Këshillin Prokurorjal të Kosovës.

Partia më e madhe opozitare, PDK, gjatë vitit të kaluar ka dërguar në Kushtetuese edhe çështje tjera.

PDK-ja në kushtetuese kishte dërguar edhe vendimin e Kuvendit të Kosovës për pagesën e energjisë elektrike për qytetarët që jetojnë në veriun e Kosovës.

Ndërsa, në këtë institucion nga LDK-ja është dërguar edhe Ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Kundërkushtetues është vlerësuar nga opozita edhe shtyrja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave veriore. Mirëpo, kjo çështje nuk është dërguar për shqyrtim në Kushtetuese.

Nuk pëlqehen veprimet e PDK-së dhe LDK-së

Njohësve të rrethanave politike në vend nuk po iu duket ide e mirë që opozita po i drejtohet shpesh Gjykatës Kushtetuese.

Ata kanë thënë se kjo tregon edhe mungesën e kreativitetit të opozitës.

Analisti Afrim Kasolli ka thënë se veprimet e këtyre partive po tregojnë edhe dobësitë e tyre.

Parimisht nuk ka asgjë të keqe ky përkushtim i tyre për të kërkuar verifikimin e validitetit kushtetues të këtij ligji. Mirëpo, po ashtu edhe reduktimi i krejt aktivitetit politik në dyert e Gjykatës Kushtetuese, dëshmon edhe paaftësinë e tyre për veprim kreativ politik. Sepse politika nuk është vetëm pritje për interpretim ligjor te saj”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, sfera politike ndryshon nga ajo juridike.

Ligjet, që nga koha e Monteskjes i vendosin kufijtë e asaj që është e ndaluar, por kurrë nuk mund të shndërrohen në inspirim për aksion politik. Këtë të fundit duhet kërkuar në tjera parime. Kjo edhe është arsyeja që sfera juridike dallon nga ajo politike. Por, si duket në mungesë të këtyre atributeve tjera, këto dy parti, kanë hyrë në konkurrencë njëra me tjetrën, se cila po dërgon lende më shumë dhe më shpejt në këtë insitiucion, për t‘i dhënë kuptim kotesisë së tyre politike”, ka shkruar ajo.

Edhe analisti politik Gazmir Raci ka thënë për gazetën Nacionale se në këtë mënyrë këto dy parti po tregojnë se janë në një garë për vend të dytë.

Opozita e sotme ende e vazhdon betejën në mes tyre për vendin e dytë dhe asesi s`po munden të jenë një zë i përbashkët kundër shumicës parlamentare. Duket që qeverisja e tyre e përbashkët në të kaluarën e që ka qenë shumë e kritikuar nga gjithë ka mundësi të jetë pengesa serioze e unifikimit. Të dyja këto parti opozitare duhet të distancohen publikisht nga e kaluara e tyre e përbashkët jo fortë e mirë dhe më shumë dyshime”, ka thënë Raci.

Lajme të ngjashme