“Shhhh...opozita po flen”, Krasniqi i butë e Abdixhiku s’flet hiç për kritikat e DASh-it ndaj Kurtit e Osmanit - NACIONALE

“Shhhh...opozita po flen”, Krasniqi i butë e Abdixhiku s’flet hiç për kritikat e DASh-it ndaj Kurtit e Osmanit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe e opozitare vendit, ka disa javë që ka filluar themelimin e Qeverisë nën Hije. Por, një nismë e tillë duket se nuk ka ndikuar asgjë në aktivizimin e opozitarizmit. Kampi opozitar karakterizohet me mungesën e reagimeve. E kjo u pa edhe në rastin e kritikave nga Departamenti i Shtetit, i cili publikoi një raport për Kosovën dje.

PDK, por edhe LDK, si dy nga partitë më të mëdha të opozitës, reaguan vagullt karshi kritikave të Raportit të Departamentit amerikan të Shtetit.

Ndonëse ky raport pati kritika të ashpra karshi Qeverisë Kurti e Presidentes Osmani, opozita nuk dënjoi të ashpërsonte opozitarizmin e tyre. Natyrisht, krejt çfarë bënë ishin statuset në Facebook.

Në një gjuhë rugoviane, ishte një reagim “estetik”, sa për sy e faqe.

Në lidhje me këtë raport, kreu opozitar Memli Krasniqi, thotë se kërcënimet duhet të ndalen dhe se Qeveria duhet të respektojë lirinë e mediave.

Ai më tej shton se raporti i fundit vë në pah përkeqësimin e gjendjes në njërën prej shtyllave qëndrore të demokracisë, që është media.

“Kjo është e papranueshme për një shoqëri të lirë e demokratike. Mendësia e kërcënimit të mediave nga qeveritarët, nuk ka të bëjë asgjë as me traditën tonë politike, as me mënyrën tonë të kooperimit dhe as me aspiratat për të cilat qëndrojmë politikisht”, shkroi Krasniqi.

Më keq se Krasniqi në opozitën ndaj Qeverisë Kurti, qëndron vetëm lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ky i fundit, nuk bëri asnjë postim apo reagim në lidhje më këtë çështje.

Ndonëse pretendon të bëhet kryeministër i vendit, Abdixhiku nuk ka asnjë postim që nga dje për çfarëdo teme politike në vend.

LDK nuk e përmendi raportin e DASH as në konferencën për media ku mori pjesë deputeti i saj, Driton Selmanaj dhe zëdhënësja Sibel Halimi.

Dy eskponentët e LDK-së folën për rekomandimet e Komisionit të Venecias e që si duket për LDK-në është çështje me e rëndësishme se raporti i DASH.

PDK e LDK janë kritikuar shumë për mënyrën se si po bëjnë opozitën karshi Qeverisë Kurti.

Analistët politikë ditë më parë i thanë Nacionales se themelimi i Qeverisë nën hije nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të madh në opozitarizmin e PDK-së.

Krijimi i një Qeverie nën hije në këtë rast nga ana e PDK-së, nuk është një garanci se do të ketë një opozitë më të fortë. Në fakt as PDK-në, as LDK-në e as ndonjë parti tjetër deri tash nuk e ka pengu askush që të bëjnë opozitë. Askush nuk i ka ndaluar që PDK t’i nxjerr ekspertët e saj në konferenca për media ose të gjejnë forma tjera që t’i japin idetë ose alternativat e tyre. Natyrisht, PDK kalkulon në përfitime, në poena politik, sepse kur thua qeveri nën hije tingëllon shumë mirë, por në thelb nuk mendoj që do ta ndërrojë mënyrën e të bërit opozitë”, kishte komentuar Mushkolaj për Nacionale.

Ndryshe, në raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2021, Departamenti amerikan i Shtetit konstatoi se në Kosovë çështjet e rëndësishme të këtyre të drejtave përfshinin raporte të besueshme për: kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet për dhunë gazetarëve; korrupsionin serioz qeveritar dhe mosndëshkimin dhe krimet që përfshijnë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj pakicave etnike ose komuniteteve tjera të margjinalizuara.

Departamenti Amerikan i Shtetit në publikimin e raportit të tij, i ka vënë theks problematikave me të cilat përballen gazetarët dhe mediat në Kosovë gjatë vitit 2012. Në këtë raport nënvizohet se gazetarët kanë hasur në vështirësi në marrjen e informacionit dhe qasja e qeverisë dhe institucionev karshi medieve ka qenë mjafë e kufizuar.

Madje në këtë raport thuhet se gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike. Dhe ky raport ka shkruar tutje edhe për rastet e sulmeve fizike apo kërcënimeve verbale të gazetarëve.

Çështja e shkarkimit të Valdete Dakës nga posti në KQZ nga ana e presidentes Vjosa Osmani është cilësuar si i motivuar politikisht.

Në raportin e publikuar në faqen zyrtare të ShBA-së , thuhet se vendimi i Vjosa Osmanit për të shkarkuar Valdete Dakën mund të ketë pasur parapavijë politike.

Misioni i BE-së për observimin e zgjedhjeve e kishte cilësuar vendimin e Osmanit si jo adekuat e të motivuar politikisht.

Në lidhje me këtë ka reaguar Këshilltari i presidentes Osmani, Artan Murati.

Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", Murati ka thënë se DASh-i nuk ka bërë asnjë vlerësim të procesit, përcjell Gazeta Nacionale.

"Raporti i DASh-it nuk e ka quajtur vendimin e Presidentes së Republikës për ndërprerjen e mandatit të kryesueses së KQZ-së si politikisht të motivuar, por nënvizon qëndrimet e palëve sa i përket këtyre ngjarjeve, përfshirë opozitën dhe organizatat e shoqërisë civile", ka shkruar mes tjerash ai.

I zëshëm për këtë raporti ishte e Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Përmes një komunikate për medie , AGK-ja ëshët shprehur e shqetësuar .

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ndaj gjetjeve të Raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kosovë, i cili tregon se gazetarët në Kosovë hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike.

Përmes një komunikate për medie, AGK-ja është shprehur e shqetësuar me këto gjetje.

Qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur, u bënin trysni pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që të mos publikonin rrëfime ose materiale të caktuara.

Departamenti Amerikan i Shtetit citon raportet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për sulmin fizik ndaj Visar Duriqit, intervistimin nga Prokuroria të Parim Ollurit për raportimin për vaksinat, si dhe kërcënimin e deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj portalit “Albanian Post”, si tri prej incidenteve më të rënda në vitin 2021. AGK-ja vlerëson se gjetjet e raportit duhet të jenë alarm për institucionet e vendit që duhet të angazhohen në krijimin e një ambienti më të mirë e të sigurt të të bërit gazetari. AGK-ja gjithashtu fton pronarët e medieve që të lejojnë që gazetarët të raportojnë pa u cenzuruar e frikësuar se do të humbasin vendin e punës”, është thënë në reagimin e AGK-së.

Lajme të ngjashme